Futboll

Ajaksi magjik thyen Juventusin, Barça vazhdon marshimin

Ka vijuar me surpriza të mëdha edhe mbrëmjen e kësaj të martë Liga e Kampionëve. Ajaksi ka bërë mrekullinë, duke eliminuar Juventusin dhe prerë biletën për në gjysmëfinale. 1-2 kanë triumfuar holandezët në Torino, duke nxjerrë jashtë Juventsin që edhe këtë herë nuk ia del që të çojë në Itali trofeun e Champions League. Ndërkohë në ndeshjen tjetër Barcelona ka vijuar marshimin, duke mposhtur Mançester Junajtid edhe në “Camp Nou”, me rezultatin e thellë 3-0.

Një “Ajaks magjik” që tani shikon drejt trofeut të Ligës së Kampionëve. Holandezët pasi larguan Realin e Madridit nga ky kompeticion, “harkëtarët” eliminojnë edhe një tjetër pretendent, si Juventusi. Edhe pse ndeshja filloi mirë për vendasit, me golin e Ronaldos, çdo gjë u përmbys. Si fillim Van De Bek barazoi në pjesën e parë dhe më pas në fraksionin e dytë ishte kapiteni De Lajt, ai që fundosi Juventusin me golin e minutës së 67’. Në gjithë pjesën e mbetur të lojës, Juventusi provoi të përmbyste këtë rezultat, por pa sukses, pasi Ajaksi jo vetëm që u mbrojt mirë, por edhe arriti të ishte disa herë i rrezikshëm për të shënuar golin e tretë. Kështu Ajaksi kalon në gjysmëfinale dhe do të presë rivalin nga përballja mes Mançester Sitit dhe Totenhamit.

Ndërkohë ndeshja tjetër në “Camp Nou” nuk pati shumë histori. Barcelona e pati shumë të lehtë përballë Mançester Junajtid, duke triumfuar me rezultatin e thellë 3-0. Mesi që ne fillimin e lojës me dy golat e tij e vuri ndeshjen në shina për katalanasit, ndërsa anglezët nuk e kishin forcën e duhur për të reaguar. Kutinjo në pjesën e dytë vulosi gjithçka në këtë përballje, duke kaluar ekipin katalanas në gjysmëfinale. Në këtë fazë të Ligës së Kampionëve, Barcelona do të presë ekipin fitues nga çifti mes Liverpulit dhe Portos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë