Kombetarja

Air Albania ‘sold out’ më 20 nëntor, tifozët mezi presin festën e madhe me kuqezinjtë

Gazeta Si – Ndoshta Shqipëria mund ta sigurojë kualifikimin për në Gjermani 2024 që në ndeshjen me Moldavinë, por dita e festës së madhe do të jetë 20 nëntori. Në këtë datë kuqezinjtë presin Ishujt Faroe në ‘Air Albania’ dhe bashkë me tifozët, duke përjashtuar ndonjë çmenduri, do të festojnë kualifikimin në Europian, pse jo dhe vendin e parë.

Për këtë arsye, sapo Federata Shqiptare e Futbollit noxori në shitje online biletat e ndeshjes me Ishujt Faroe, ato u shitën menjëherë. Brenda dy orësh nuk kishte më bileta të disponueshme, çka tregon qartë interesimin e jashtëzakonshëm të tifozëve për këtë ndeshje.

Tifozët kuqezi gjatë nje ndeshjeje ne 'Air Albania'. Gazeta Si, 3 nentor 2023

‘Air Albania’ do të jetë ‘sold out’ për të disatën herë radhazi këto muajt e fundit. Kështu ka ndodhur në ndeshjet me Poloninë dhe Çekinë. Më 20 nëntor pritet fitorja që do të ‘vulosë’ këtë fazë kualifikuese mbresëlënëse të kuqezinjve, aktualisht të parët në grup me 13 pikë.

Me strategun Silvinjo në krye, Kombëtarja jonë ka zhvilluar ndeshje shumë të mira, ka shënuar gola spektakolarë dhe ka dominuar emra të mëdhenj të futbollit europian, si Çekia dhe Polonia, ndaj dhe e meriton plotësisht të jetë në Euro 2024. Me atë që ka dhënë në fushë, Shqipëria madje ka rritur pritshmëritë për të ardhmen. Tani tifozët besojnë për të tjera surpriza të bukura edhe në Gjermani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë