Ekonomi

Ahmetaj: Paga e luftës përfundon javën tjetër. Sanksione për bizneset që largojnë punonjësit

Ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj ka bërë me dijë për publikun, veçanërisht për përfituesit, se shpërndarja e pagës së luftës përfundon javën e ardhshme.

Ai tha se nuk ka një afat kohor të specifikuar se sa kohë duhet për shqyrtimin e një dosjeje përfituese, por deklaroi se procesi përfundon deri në fund të javës së ardhshme për të gjithë 60 mijë e 40 personat, biznese dhe punonjës.

Afati i fundit i aplikimit ka qenë dita e djeshme, data 9 prill dhe duhet të aplikojnë ata që janë  në listën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe personat që janë larguar nga puna si pasojë e situatës së shkaktuar nga Covid-19 deri ditën e djeshmë dhe për të cilët janë paguar sigurimet shoqërore deri në shkurt-mars 2020.

Në lidhje me largimet abuzive nga puna të punonjësve nga  ana e kompanive, ministri Ahmetaj tha se kanë nisur  monitorimet në terren.

Abuzimet e tilla kategorizohen sipas rastit në hetim tatimor, krim ekonomik dhe do tiu nënshtrohen sanksioneve sipas rastit.

“Po skanohen të gjithë bizneset që po largojnë punonjësit nga puna. Do ndëshkohen ata që kanë larguar punonjësit dhe deklarojnë të njëjtin volum pune”- u shpreh Ahmetaj.

Ai bëri me dije se qeveria po punon për paketën e dytë ku do të përfshihet edhe biznesi i madh për kategorinë që është mbyllur si pasojë e vendimit të qeverisë dhe prej tyre do të përfitojnë punonjësit që janë hequr nga listpagesat nga 1-9 prill.

“Nuk mund ta shtynim afatin as edhe me një ditë. As pagesën e sigurimeve dhe asnjë detyrim tjetër sepse buxheti me këto mbahet. Janë 7.9 mld lekë në muaj sigurime, po ti shtynim, nuk do të arrinim të paguanim pensionet”- tha ministri Ahmetaj.

Ai bëri me dije se në paketën e dytë do të përfshihen edhe punonjësit sezonalë, të cilët në këtë periudhë shkonin në rajon apo vende të tjera fqinjë si Italia dhe Greqia për punët e stinës. Edhe ata, tha minsitri Ahmetaj, do të marrin pagesën e papunësisë dy-fish.

Më Shumë