Ekonomi

Ahmetaj injoron Raportin e DASH, do vazhdojmë me PPP-të

Ministri i Financave Arben Ahmetaj i zymtë në të parë, por i sigurt në ligjërim thekson se PPP-të janë një praktikë ndërkombëtare që i vijnë në ndihmë shërbimeve që u duhen qytetarëve, prandaj është një mënyrë e pashmangshme financimi, duke injoruar kështu raportin e DASH dhe raportet precedente të organizmave ndërkombëtarë për rrezikshmërinë e konçensioneve me Partneritet Publik Privat.

Për të mbështetur argumentin e tij gjatë konferencës për shtyp me gazetarët në reagim të raportit të Byrosë së Çështjeve Ekonomike dhe Biznesit për Klimën e Investimeve 2018, ai u ndal në krahasimin e dhënies së konçensioneve të kësaj qeverie, me atë të qeverisë Berisha.

Sipas Ahmetaj  qeveria Berisha ka  dhënë 178 konçensione kurse qeveria e tij 39. Sipas tij kjo qeveri ka nënshkruar 28 oferta të pakërkuara duke theksuar se ofertat e pakërkuara kanë rënë në 8% në 2018.

Duke këmbëngulur në praktikën e PPP-ve si një instrument jo shqiptar, por mbarëbotëror, Ahmetaj u shpreh se kjo mënyrë financimi e stigmatizuar në Shqipëri, është një mundësi për realizimin e veprave publike në të mirë të shqiptarëve që të mos presin derisa arka e shtetit të shëndoshet për të marrë shërbimet e munguara.

Në këtë mënyrë Ahmetaj u thotë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve se nuk ka asnjë shans që PPP-të të ndërpriten, por ai deklaroi se ligji për to do të amendohet së shpejti për të pezulluar ofertat e pkërkuara sidomos në fushën e infrastrukturës rrugore.

Vetëm në një aspekt i dha të drejtë Ministri Ahmetaj Raportit të DASH për klimën e biznesit që sipas tij qeveria ka bërë e do të vazhdojë të bëjë të pamundurën për thithjen e investitorëve të huaj duke përmendur shifrat optimiste prej 284 mln euro të investimeve në tremujorit të parë të 2018-ës, që sipas tij në përmbyllje të këtij viti financiar do të shkojnë në 980 mln euro. Ahmetaj theksoi se reforma në Drejtësi është një garanci e fort për mbrojtjen e Investitorëve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë