Ekonomi

Agjencia S&P konfirmon vlerësimin B+për Shqipërinë: Inflacioni do të mbetet i lartë për 2022

Ministrja e Financës dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj përmes një postimi në  Facebook njoftoi se Agjencia Standard & Poor’s ka konfirmuar vlerësimin “B+” për ekonominë shqiptare, të shoqëruar nga një perspektivë “të qëndrueshme”.

Ajo shton se “Agjencia parashikon se rritja reale, pas një rikuperimi solid në vitin 2021 edhe pse do të ngadalësohet në vitin 2022 do të rimëkëmbet në vijim, kryesisht prej investimeve të larta, si dhe një kërkese të brendshme e të huaj më të fortë.”

Agjencia pret që inflacioni të mbetet i lartë, mesatarisht në 6.4% për 2022, por pret që më pas të kthehet gradualisht rreth nivelit të targetuar prej 3%, kjo si për shkak të shtrëngimit të politikës monetare ashtu edhe të presioneve të dobësuara të çmimeve nga jashtë. Ndërkohë, stabiliteti i fortë i lekut ka ulur presionet mbi financat publike dhe sistemin bankar.

"Sektori bankar i Shqipërisë është likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kreditë me probleme u reduktuan në 5.4% totalit të kredisë në maj 2022, krahasuar me një kulm prej gati 25% në vitin 2014. Në përgjithësi, rreziku i detyrimeve kontingjente të sistemit bankaar mbetet i ulët. Ndërkohë rezervat valutore të gjeneruara nga ekonomia dhe të akumuluara ndër vite nga banka qendrore përbëjnë një amortizues të rëndësishëm ndaj goditjeve të mundshme të jashtme."

Gjithashtu Ibrahimaj njofton se sipas vlerësimit të Agjencisë, në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit, ekspozimi tregtar dhe financiar i Shqipërisë ndaj Rusisë dhe Ukrainës është i papërfillshëm, gjë që kufizon ndikimin e konfliktit në ekonomi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë