Ekstremisti grek, Konstandin Kaçifas, i cili mbeti i vrarë të dielën e 28 tetorit nga forcat RENEA, është përcjellë në banesën e fundit rreth orës 2:15. Në momentin e uljes së arkivolit në dhe, të pranishmit e kanë përcjellë në heshtje dhe me duartrokitje. I veshur me rroba ushtarake dhe i mbuluar me flamurin grek, i ndjeri është përcjellë nga qindra banorë të zonës, familjarë dhe shtetas grekë. Arkëmorti ka qëndruar i hapur deri në fund.
“Vorio Epiri është Greqi, Kaçifas jeton, Kaçifas drejton”, me këto thirrje 35-vjeçari Konstandinos Kaçifas është përcjellë për në banesën e fundit.
Në qendër të Bularatit u shpalos një flamur i madh grek dhe u bënë thirrje nacionaliste, ndërkohë që trupi i Kostandinos Kaçifas po shkonte drejt kishës për ceremoninë mortore.
Kortezhi mortor mbanin edhe parulla të shënuara sipër disa flamujve ku shkruhej: “Maqedonia është Greqi” dhe “Konstandin ti jeton, na udhëheq dhe na prin”, si dhe kanë kënduar himnin grek dhe bënë thirrje për Vorio Epir.
Mes fluksit të njerëzve, i pranishëm është edhe kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili ka bërë edhe një deklaratë të shkurtër, ku shprehet se zbardhja e së vërtetës është me rëndësi jetike.
Trupi i pajetë i minoritarit Kostandinos Kaçifas, i cili ndodhej në Tiranë ku iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore, mbërriti në Bularat ditën e djeshme. Trupi i tij u dorëzua pas autorizimit një ditë më parë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Autorizimi u firmos nga prokurori që po heton çështjen, Njazi Seferi.
Arkivoli me trupin e 35-vjeçarit, i mbuluar me flamurin grek, u shoqërua dje për në banesë nga familjarë, të afërm dhe miq. Po dje, Bashkia e Dropullit në një mbledhje të orëve të fundit vendosi të mbulojë të gjitha shpenzimet e varrimit.
Mediat greke raportuan se më shumë se 2000 shtetas grekë do të ishin të pranishëm në fshatin Bularat. Policia ushtroi kontrolle të rrepta në kufij. Autobusi i parë nga Athina mbërriti rreth orës 5.30.
Pavarësisht se në Pikën kufitare të Kakavijës u shtuan sportelet, fluksi i madh i grekëve që kanë hyrë në territorin shqiptar, për të qenë pjesë e ceremonisë mortore të Kaçifas ka qenë mjaft i madh, duke arritur në 3 km.
“Kemi ardhur nga Athina për të qenë në varrim. Nuk e kemi familje heroin, por ishte shumë e rëndësishme për ne ta nderojmë. Në kufi nuk ishte e vështirë të kalonim”, shprehet njëri prej pasagjerëve të autobusit grek.
“Unë jam nga Athina, sapo mbërritëm për ceremoninë e varrimit. Jam këtu për të nderuar heroin tim, heroin tonë. Shumë të tjerë janë pas nesh, nuk e di saktë numrin e atyre që po vijnë, por janë shumë”, shprehet një tjetër pasagjer.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme dhe e Mbrojtjes së qytetarit në Greqi bëri thirrje për qytetarët grekë që kanë ardhur në Bularat që të vetëpërmbahen dhe të tregojnë respekt për familjen dhe ceremoninë.
Policia shqiptare ktheu një fugon me mbështetës të Agimit të Artë dhe 8 persona me simbole dhe flamuj ekstremistë, të cilët tentuan të hynin në territorin shqiptar me makina të vogla. Policia shqiptare ka qenë në bashkëpunim me atë greke për të parandaluar ndonjë incident të mundshëm. Po ashtu, policia ka vëzhguar dhe ka mbajtur nën mbikëqyrje persona me precedent penal, kryesisht ata të Agimit të Artë.
Ndërkohë,Policia e Gjirokastrës ka vendosur që të qëndrojë sa më larg fshatit Bularatgjatë ditës së sotme, në mënyrë që të shmanget çdo lloj incidenti.
Ngjarja
Gjithçka nisi rreth orës 10:00 të së dielës së 28 tetorit, kur Kaçifas qëlloi me breshëri në ajër në fshatin Bularat në Dropull të Gjirokastrës, ku po zhvilloheshin festime me rastin e përkujtimit të të rënëve grekë gjatë luftës italo-greke.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë, e cila ka rrethuar zonën ku ndodhej shtetasi grek.
Pas mbërritjes, forcat e policisë kanë hasur në zjarrin e Kaçifas. Pas kësaj, 35-vjeçari është fshehur pranë depos së ujit të fshatit. Në ndihmë të shërbimeve të policisë së Gjirokastrës kanë shkuar forca speciale RENEA me anë të një helikopteri.
Thirrjeve për t’u dorëzuar, Kaçifas i është përgjigjur me plumba. Mësohet se beteja me armë ka zgjatur deri pas orës 15:00, ku i riu nuk ka pranuar të ulë armët. Madje plumbat kanë rënë edhe mbi banesat e fshatit, duke i dëmtuar, por edhe duke i rrezikuar banorët. Në këtë mënyrë efektivët janë detyruar të ndërhyjnë duke lënë të vrarë shtetasin grek.
Sipas banorëve të fshatit, 35-vjeçari jetonte në Greqi, por kishte më shumë se një javë që kishte ardhur në Bularat.
Sulmi mendohet të ishte paralajmëruar disa ditë më parë në rrjetin e tij social “Facebook”, ku shkruante: “Grek ose vdekje, ky është detyrimi i të gjithëve ne, në 28 tetor në Bularat për të nderuar paraardhësit tanë në memorialin përkujtimor”, është shprehur ai në postimin e datës 23 tetor.
Ndërsa, në një postim tjetër të mëvonshëm ka reaguar mbi bisedat e dy kryeministrave: “Tsipras dhe Rama bëjnë plane pa pronarin, por një gjë duhet të jenë të sigurt, rinia nuk do të qëndrojë si spektatore. Ata kanë thirrur grekët më 28 tetor për të dërguar një mesazh në një drejtim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.