Gazeta Si – Pak ditë pas paraqitjes së Ilir Metës, deputeti socialist Agron Çela është thirrur nga SPAK këtë tëmartë për të dhënë deklarime në lidhje me dosjen “CEZ-DIA”.
Pasi u mor në pyetje, deklaroi për mediat se nuk është i përfshirë në çështje, nuk e njeh Kastriot Ismailajn dhe se me Metën ka marrëdhënie të mira.
“Isha për punët e mia. Kastriot Ismailaj s’e njoh kush është ky, s’di gjë për ‘CEZ-DIA’. Ilir Metën e njeh gjithë Shqipëria, kam marrëdhënie shumë të mira”, është shprehur Çela.
Çela, ish-deputet i LSI-së dhe aleat i ngushtë i ish-presidentit Ilir Meta, ka pasur një kompani që kishte marrëdhënie kontraktuale me Kastriot Ismailajn, ish-administratorin e DIA-s për mbledhjen e borxheve të energjisë elektrike.
Në datën 8 nëntor, ishte kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta që u paraqit në SPAK pikërisht për këtë çështje. Ai akuzoi kryeministri Rama se po e përdor politikisht këtë çështje për të shmangur vëmendjen nga skandalet e qeverisë.
Meta deklaroi se nuk është i përfshirë dhe se nuk ka asnjë akt të firmosur nga ai në interes të askujt për këtë çështje.
Edhe në dëshminë e dhënë disa muaj më parë në SPAK, Ilir Meta ka mohuar implikimin, duke e konsideruar këtë çështje si një dosje që përdoret politikisht.
Për dosjen ÇEZ-DIA në vitin 2018 u dënua me vendim të formës së prerë Kastriot Ismailaj, administrator i kompanisë që do të mblidhte borxhet e energjisë elektrike.
Dosja u rihap disa vite më parë dhe SPAK po heton veprimet e zyrtarëve të lartë të kohës për marrëveshjen që i shkaktoi shtetit një dëm prej miliona eurosh.
Ndërkohë, SPAK ka të hapura 3 procedime penale për rolin e Ilir Metës, bazuar në 9 kallëzime të bëra nga qytetarë, avokatë dhe ish-deputetë. Procedimet janë regjistruara për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




