Komunitet

Adoleshenti që kafshoi “Mollën” me 90 GB

Veç cilësisë së produkteve që hedh në treg, Apple vlerësohet nga klientët e saj edhe për sigurinë që u ofron. Serverat e kompanisë, që para pak ditësh kaloi vlerën e 1 triliard dollarëve, konsiderohen më të sigurtët dhe misioni për të depërtuar barrierat e sigurisë së tyre si i pamundur.

Por, duke iu referuar parimit matematikor që një kundërshembull rrëzon të gjithë teorinë, atëherë edhe teoria se serverat e Apple janë të pacenueshëm bie. Një 16-vjeçar australian realizoi të pamundurën dhe e bëri këtë në më shumë se një rast.

Adoleshenti nga Melburni, emrin e të cilit autoritetet nuk e bëjnë publike për shkak të moshës, jo vetëm që kishte hyrë në serverat e “Mollës”, por kishte “kafshuar” prej andej në total një material prej 90 GB.

16-vjeçari u tha autoriteteve se ishte një fans i madh i kompanisë dhe se kishte hakuar serverat e saj për të tërhequr vëmendjen dhe të realizonte ëndrrën për të punuar për gjigantin e teknologjisë.

Ajo që e bën më të sikletshme këtë rast për inxhinierët e sigurisë së Apple është fakti që hyrja e paautorizuar është vënë re shumë vonë dhe pasi kishin rrjedhur prej andej miliona fjalëkalime dhe llogari të klientëve të tyre.

Kur Apple nuhati ndërhyrjen u vu në kontakt me FBI-në. Të ndihmuar nga kompania, hetuesit federalë lokalizuan se nga vinte thyerja e barrierave të sigurisë dhe menjëherë kontaktuan me policinë federale australiane.

Kjo e fundit ndërmori një operacion në fund të vitit të kaluar dhe në banesën e adoleshentit sekuestroi dy laptopë Apple, një iPhone dhe një disk portativ.

“Numrat e serisë së dy laptopëve të sekuestruar përkojnë me numrat e serisë së pajisjeve nga ky është shkelur sistemi i sigurisë së Apple”, shkruan The Age, një forum teknologjik australian, duke cituar burime nga policia federale.

16-vjeçari u tregua bashkëpunues, duke u dhënë hetuesve federalë fjalëkalimet e pajisjeve të tij Apple, në njërin prej të cilëve gjetën një folder me emrin “hacky hack hack”. Pikërisht në këtë folder u gjetën të gjitha materialet sensitive të shkarkuara në mënyrë të paligjshme nga serverat e Apple.

Veç këtyre, autoritetet australiane deklaruan se kishin zbuluar edhe një program, me gjasa të ndërtuar nga vetë 16-vjeçari, që është përdorur për të hyrë në sistemet e sigurisë së Apple pa u diktuar. Metoda e përdorur dhe mënyra se si funksionon ky program nuk u bë e ditur me kërkesë të kompanisë amerikane.

Rasti u mbajt sekret deri më tani nga FBI dhe federalët australianë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës të adoleshentit. Avokatët deklaruan se klienti i tyre është një emër aq i njohur në komunitetin e piratëve kibernetikë në internet, saqë publikimi i identitetit të tij do ta vendoste në rrëzik për jetën.

Më 17 gusht, Apple doli me një deklaratë ku konfirmoi se të dhënat e një pjese të përdoruesve të saj ishin vjedhur, por siguroi se në asnjë rast ato nuk janë përdorur.

Adoleshenti pranoi fajësinë e akuzave të ngritura kundër tij në Gjykatën e Minorenëve në Australi, e cila pritet që të dalë me një vendim më 20 shtator.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë