Rend dhe Ligj

Administrativja rifut në garë kandidaten për në Gjykatën Kushtetuese

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, Zhaklina Peto ka fituar një pjesë të betejës me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, pas vendimit për ta skualifikuar në garën si kandidate për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Administrative e Apelit e përbërë nga trupa gjyqësore trupë gjyqësore nga Alkelina Gazidede, Amarildo Laçi dhe Bari Shyti vendosi më 22 gusht që të pranojë pjesërisht padinë e saj.
Në dispozitivin e trupës gjykuese thuhet se gjykata vendosi: “Pranimin pjesërisht të padisë. Shfuqizimin e vendimin nr.108, datë 02.08.2019 të nxjerrë nga i padituri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Shfuqizimin e vendimit nr. 109 datë 02.08.2019 të nxjerrë nga i padituri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi . Pushimin e gjykimit të çështjes për kërkimin e dytë të padisë Ky vendim është përfundimtar dhe i formës së prerë”.
KED-së i duhet që të vendosë sërish për kandidaten Peto, e cila ka konkurruar për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti.

Zhaklina Peto, ne foto, ne mes


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e kandidimit të Zhaklina Petos për të dyja vakancat më 2 gusht 2019. Sipas vendimit të zbardhur, ajo u ndalua të kandidonte për shkak se dështoi të kalonte me sukses procedurën e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së saj dhe të familjarëve.
Lidhur me kontrollin e pasurisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi administroi raportin e ILDKPKI-së, i cili vlerësonte se Peto “nuk kishte kryer deklarim të saktë, ka mungesë dokumentacioni ligjor për burimin e pasurisë si dhe ka mosdeklarim të tyre”.
Sipas ILDKPKI, Peto ka deklaruar pronësinë mbi një apartament me sipërfaqe 130 m2 në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, por nuk ka deklaruar shtesën e apartamentit që ka gjithashtu sipërfaqe prej 130 m2, nga të cilat 64 m2 janë verandë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi deri më tani ka dhënë miratimin për pesë kandidatët Arta Vorpsi; Elsa Toska; Fiona Papajorgji; Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari. Këto kualifikimet janë për katër vende vakante në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit në fuqi për të emëruar anëtarët për gjykatën Kushtetuese, për një vend vakant duhen të paktën tre kandidatura. Aktualisht Presidenca, siç ka raportuar Gazeta “Si”, është në pritje të një kandidati për të plotësuar kriterin ligjor të tre kandidatëve.
KED në vedimin e mëparshëm rrëzoi një sërë kandidatësh për anëtar të Gjykate, si Sinan Tafaj, Rexhep Bekteshi, Fiona Papajorgji, Petrit Kaja, Gëzim Allaraj dhe Klodian Rado. Ndërsa një pjesë e tyre kanë ankimuar vendimin e KED-së në Gjykatën Administrative të Apelit. Pjesa më e madhe e kërkesave është rrëzuar nga ana e kësaj gjykate, duke i dhënë të drejtë KED-së për këtë procedurë.

Vendimet e Gjykatës Administrative
Sinan Tafaj- Gjykata i rrëzon padinë
Rexhep Bekteshi- Gjykata i rrëzon padinë
Dede Kasneci- Gjykata i rrëzon padinë
Petrit Kaja- Gjykata i rrëzon padinë
Zhaklina Peto- Gjykata i pranon pjesërisht

 

Më Shumë