Ekonomi

Administrata dhe imobiliaret mbajnë në këmbë ekonominë, u rrit me 3.71% në fillim të 2026-s

Nga Gazeta ‘Si’- Ekonomia shqiptare u rrit me 3.71% në tremujorin e parë të vitit, por rritja u mbështet nga aktiviteti i administratës publike (pagat) dhe tregut imobiliar. Në të kundërt, industria dhe bujqësia vazhduan të japin kontribut negativ në ecurinë e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, sektori i administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë dha kontributin më të madh në rritjen ekonomike, me 1.68 pikë përqindje, ndërsa aktiviteti u zgjerua me 13.93% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kontribut pozitiv dhanë edhe aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.52 pikë përqindje, aktivitetet profesionale dhe shërbimet administrative me 0.47 pikë përqindje dhe ndërtimi, me 0.32 pikë përqindje, duke konfirmuar vijimin e rolit të këtij sektori si një nga mbështetësit e rritjes ekonomike.

Në kahun tjetër, industria, energjia dhe uji kontribuan negativisht me -0.25 pikë përqindje, ndërsa edhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi vijuan të tkurren, duke frenuar ritmet e zgjerimit ekonomik.

Nga ana e kërkesës, rritja u mbështet nga konsumi i familjeve dhe investimet, që u rritën secili me 3.94%, ndërsa eksportet e mallrave dhe shërbimeve u zgjeruan me 9.36%, mbi ritmin e importeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë