Ngjarje

“Adieu!”

Asgjë nuk e përfaqëson Francën si Notre-Dame de Paris. Ajo ka qëndruar e heshtur në sfondin e kryeqytetit francez që nga viti 1200, duke u bërë pjesë e ngjarjeve më të bukura dhe të trishtuara të Francës dhe mbarë kontinentit të vjetër.

Herën e fundit që katedralja mesjetare u dëmtua ishte gjatë Revolucionit Francez, kur statujat e shenjtorëve u shembën nga qytetarët. Notre Dame i mbijetoi kryengritjeve të vitit 1871 dhe dy luftërave botërore.

“Është e pamundur të përshkruaj sa tronditëse është të shikosh një mishërim kaq të gjallë të së kaluarës të shkrumbohet”, thotë një nga mijëra qytetarët që ishin mbledhur të trishtuat pasditen e së hënës në brigjet e Seinës, ndërkohë që Notre Dame digjej përpara syve të tyre. Disa prej tyre ishin në lot, disa shihnin me heshtje, e të tjerë këndonin spontanisht ‘Ave Maria’ .

Për Ulpiana Lamën, e cila punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Paris, ky ishte momenti kur kuptoi se duhet të kishte lidhur më shumë kujtime me Zonjën e Parisit. Pasi përjetoi nga afër dramën e djeshme, ajo thotë se Notre Dame i takon fondit të njerëzimit dhe se është tashme pjesë e trashëgimisë së tij.

“Rrallë ose aspak kam fotografuar monumente. Apo veten në/përreth monumenteve.”Faji” i Milan Kunderës! Në një nga romanet e lexuar dekada me herët, kujtoj që Kundera vëzhgon me habi sjelljen e turistëve të cilët nuk lënë qoshe pa fotografuar dhe ironizon zellin e tyre kur ‘qartazi monumentet do të jetojnë shumë me gjatë se fotografuesi’. Me sa duket, nuk paska diçka te tille si ‘qartazi”. Asgjë nuk është e mirëqenë. As jetëgjatësia e një monumenti që u ka rezistuar, 9 shekujve, një revolucioni të përgjakshëm, 2 luftërave botërore”, thotë Lama, si një nga shqiptaret që e përjetoi nga afër djegjen e Katedrales në zemër të Parisit.

Për francezët, besimtarët, apo qytetarët nga gjithë bota, Notre Dame është ndoshta një nga ndërtesat më të bukura në botë, dhe shkrumbimi i saj është një tragjedi që nuk do harrohet lehtë.
Presidenti Emmanuel Macron shprehu jo vetëm trishtimin e tij, por edhe shokun e një “kombi të tërë”. Siç tha ai, Notre Dame është “pjesë e trashëgimisë të përbashkët botërore”.

“E vendosur në zemër të kryeqytetit francez, katedralja shekullit të 12-të i ka mbijetuar epidemive, luftërave dhe revolucioneve “, tha Macron duke shkelur mes hirit.

“Nuk mund të qëndroja në shtëpi,” thotë nga ana tjetër një 50 vjeçar francez. “Duhej të isha këtu. Ne të gjithë e dimë dhe e duam Notre-Dame. Është katedralja e Victor Hugos. Është pjesë e rrënjëve tona kulturore dhe një pjesë e historisë sonë “, thekson ai.
Vajza e tij 25 vjeçare duket se mendon të njëjtën gjë. “Notre-Dame është xhevahiri i Parisit. Është vendi im i preferuar në qytet” thotë ajo. “Shkova në meshë atje vetëm dy javë më parë. Është tronditëse të shohësh shekuj të tërë të kthehen në tym”, vijon ajo.

Shiv Malek, ish gazetar i “The Guardian”, ishte duke punuar në zyrën në tij, kur e shoqja i thirri nga kuzhina për t’i thënë se Notre Dame ishte flake.

“Mu duk si fundi i botës”, rrëfen ai. “Kur pashe tymin nga dritarja mu kujtuan sulmet terroriste të disa viteve më parë. Të shikoja sërish diçka të tillë, mu duk si fundi i botës. “

Dritarja i ofronte një pamje të afërt të Notre Dame. Ai vëzhgoi si flakët e parë shpërthyen në grykën e katedrales, në skelën ku po kryheshin rinovimet dhe pastaj pa se si flakët u përhapën fillimisht në çati, për të përpirë më pas të gjithë goditën mesjetare. Zjarri ishte përhapur për një gjysmë ore, përpara se zjarrfikësit të mbërrinin në vendin e ngjarjes dhe të luftonin me flakët duke marrë ujë nga Seina.

Malek ka një lidhje veçanërisht personale me Notre-Dame. “E kam puthur për herë të parë gruan time nën hijen e Notre-Dame. Për ironi të fatit nuk kam hyrë kurrë brenda katedrales dhe tani nuk do të kem mundësi ta shoh kurrë”, thotë ai.

Për komunitetin katolik, zjarri ishte edhe më tronditës sepse ndodhi gjatë Javës së Shenjtë, vetëm disa ditë para Pashkëve. Kryepeshkopi i Parisit Michel Aupetit ftoi priftërinjtë anembanë Francës të mbanin një lutje. Vatikani publikoi një deklaratë ku shprehte trishtim për “zjarrin e tmerrshëm që kishte shkatërruar këtë simbol të krishterimit në mbarë botën”.

Reno, një gazetar i pavarur dhe besimtar katolik, shpërtheu në lot, ndërsa fotografonte monumentin që shkrumbohej. “Ishte shumë e vështirë ta shikoja në flakë. Por unë u ktheva këtu për t’u lutur. Notre-Dame nuk është vetëm tulla dhe llaç, është simboli më i vyer i Francës”, thotë ai, ndërkohë që turma rreth tij këndonte me pikëllim një interpretim solemn të ‘Ave Maria’.

Notre-Dame mund të jetë një nga shtëpitë shpirtërore të katolikëve në Francë, por humbja e saj ka prekur gjithë shoqërinë franceze. Reno rrëfen se ishte ndier i pafuqishëm të vëzhgonte flakët tek përhapeshin përmes katedrales. “Ta lemë fenë mënjanë, Notre-Dame është simbol i Parisit. Nuk ka asgjë aq emblematike për Parisin si Notre-Dame “, thotë ai.

Por pa u mbushur 24 ore nga ngjarja e rendë, qindra miliona euro janë mbledhur për të rindërtimin e Notre-Dame. Pak pasi Macron u zotua të rindërtojë ndërtesën historike, dy manjatë francezë kanë dhuruar 300 milionë euro për ringritjen e Zonjës së Vjetër. Dhurime të tjera kanë ardhur gjithashtu nga e gjithë bota, ndërkohë që Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk i ka bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së të solidarizohen.

Zjarri, i shuar rreth 15 orë pasi filloi, shkatërroi çatinë e ndërtesës 850 vjeçare dhe çoi në rrëzimin e pjesës së pasme të saj.

Por zjarrfikësit që punuan gjatë natës arritën të ruanin strukturën kryesore të gurit, duke përfshirë edhe dy kullat e saj. Ekipet e kërkimit kishin filluar të vlerësonin shkallën e dëmit në agim, kur rrezet e para të ditës zbuluan atë që kishte mbetur nga katedralja mesjetare. Ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin vepra arti të vlefshme, duke përfshirë edhe kurorën që Jezusi thuhet se kishte venë përpara kryqëzimit të tij.

Fotografitë duket se tregojnë se të paktën një prej dritareve të famshme të katedrales ka shpëtuar. Por historiani Camille Pascal tha për mediat franceze se një sërë sendesh të çmuara ishin shkatërruar. Sipas tij, Notre-Dame nuk do të jetë më kurrë e njëjta.

Më Shumë