Lajme

Abuzimi me çmimet e maskave në Tiranë, prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për abuzimet me çmimet për produktet që shërbejnë për parandalimin e simptomave të koronavirusit.

Me anë të një njoftimi për mediat, Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, thotë se duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe nga administrimi i të dhënave operative në lidhje me veprimet e disa farmacive në drejtim të rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “Manipulimi i tregut” parashikuar nga neni 143/a/1 i Kodit Penal.

Prokuroria thotë se janë në fazën e mbledhjes së informacioneve të nevojshme për evidentimin dhe dokumentimin e të gjitha rasteve, në të cilat dyshohet se disa subjekte në mënyrë abuzive dhe të paligjshme kanë rritur çmimet mbi produkte të ndryshme (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), duke përfituar nga situata e krijuar nga frika e shpërthimit të koronavirusit edhe në vendin tonë.

Ndër të tjera, Prokuroria thekson se çdo paraqitje jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funksionimit të lirë dhe drejtë të tregut, është penalisht e dënueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë