Kombetarja

Abrashi rinovon me Frajburgun, klubi ka nevojë për grintën e shqiptarit

Klubi i Frajburgut dhe mesfushori i Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, sapo kanë firmosur rinovimin e kontratës. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit gjerman në Tuiter. Aventura e 30-vjeçarit do të vazhdojë tek i njëjtij ekip në Bundesligë, edhe pse kohët e fundit ai nuk ka pasur shumë hapësira. Drejtuesit e Frajburgut e konsiderojnë një lojtar të rëndësishëm Abrashin dhe i kanë ofruar rinovimin e kontratës, por detajet e saj nuk janë bërë të ditura publikisht, pasi kështu kanë rënë dakord palët.

Abrashi ka 5 vjet që është pjesë e Frajburgut, ku kaloi nga kampionati zviceran. Mesfushori i Kombëtares la Grasshopersin në 2015-ën dhe bëri hapin e madh të kalimit në një nga 5 kampionatet më prestigjioze të Eruopës, siç është Bundesliga. Ai numëron 91 ndeshje në fanellën e Frajburgut, por duhet theksuar se dëmtimet e kanë kushtëzuar jo pak aktivizimin e tij. Dëmtimi më i rëndë ishte ai i 2018-ës në ligamente, që e detyroi këtë lojtar të qëndronte 11 muaj jashtë fushave. Gjatë këtij sezoni, mesfushori ka luajtur në 11 ndeshje.

Njoftimi zyrtar i Frajburgut për rinovimin e Abrashit. Gazeta Si, 18 qershor 2020

"Amir Abrashi është një lojtar që i përshtatet në mënyrën më të mirë Frajburgut, - është shprehur drejtori sportiv i klubit gjerman, Klemens Hartenbah. - Energjia që ai transmeton në fushë dhe jashtë saj ka rëndësi për ekipin. Jemi të kënaqur që ai do të vazhdojë me ne”. Vetë Abrashi, pas rinovimit, ka theksuar: “Ndihem shumë mirë te Frajburgu, ku ambienti është i shkëlqyer. Një nga pikat e mia më të forta është se di t’i jap forcë ekipit në çdo kohë dhe këtë do të vazhdoj ta bëj me shumë përkushtim”. Frajburgu ka shanse të sigurojë një vend në Ligën e Europës këtë sezon.

Amir Abrashi është një nga “heronjtë” e Europianit të Francës për Shqipërinë. Ai ishte një nga titullarët më të rëndësishëm të skuadrës kuqezi, e drejtuar nga Xhani De Biazi në atë kohë. Interesant është fakti se Abrashi ka luajtur me kombëtaret e moshave të Zvicrës, ndërsa në vitin 2013 ai veshi fanellën kuqezi, duke dhënë një kontribut të madh për të. Mesfushori i Frajburgut është një nga “veteranët” e paktë që është preferuar nga trajneri Edi Reja në ndeshjet e fundit, ku e ka nisur nga stoli.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë