Kombetarja

Abrashi kthehet në Zvicër pas 5 vitesh, bashkohet me Xhakën te Bazeli

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Amir Abrashi, është kthyer në kampionatin e Zvicrës. Në mënyrë të papritur ai ka lënë Frajburgun për të luajtur si i huazuar deri në fund të këtij sezoni me Bazelin, ku do të bashkohet me mesfushorin tjetër kuqezi, Taulant Xhakën.

Klubi i njohur zviceran ka postuar në faqet zyrtare lajmin e afrimit të Abrashit, i cili e njeh mirë këtë kampionat, pasi është aktivizuar më parë me disa skuadra, ku veçohet Grasshopersi. Nëse gjërat shkojnë mirë, Bazeli ka të drejtën e blerjes së kartonit të futbollistit 30-vjeçar.

Amir Abrashi me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 27 janar 2021

Abrashi ishte larguar nga Zvicra në vitin 2015, kur nënshkroi me Frajburgun në Gjermani. Ai ka pasur momente të mira me këtë klub, ku shpesh ka luajtur titullar, por dëmtimet e shumta e kanë kushtëzuar jo pak paraqitjen e mesfushorit. Ai është ndër të paktët lojtarë me përvojë që janë ende pjesë e Kombëtares së drejtuar nga trajneri Reja.

Aktivizimi me Bazelin pritet ta ndihmojë mesfushorin luftarak që të kapë formën optimale dhe të jetë gati për ndeshjet e Kombëtares në muajin mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë