Futboll

Abramoviç nuk duron më, Sarri drejt largimit nga Çelsi

Në Itali ishte i pëlqyer nga të gjithë për lojën dhe rezultatet që mori te Napoli. Por nuk është e thënë që për Muaricio Sarrin të ndodhte e njëjta gjë edhe në Premier Ligë. Tekniku italian po kalon momentin e tij më të vështirë në karrierë që nga koha e kalimit në krye të pankinës së Çelsit.

Fillimi ishte i mbarë, por këto muaj të fundit kanë qenë shumë të vështirë për Sarrin. Pasi doli jashtë luftës për titullin kampion mbrëmjen e djeshme Çelsi u largua edhe nga FA Cup. Ky kompeticion, ku Çelsi kishte krijuar një mit përballë Mançester Junajtid u thye me humbjen 0-2 nga “djajtë” e drejtuar nga Solskjaer. Tashmë i vetmi trofe që ka mbetur në tavolinë për t’u fituar nga blutë është Liga e Europës, por edhe aty nuk pritet të jetë e lehtë, pasi rivalët dhe pretendentët janë të shumtë.

Gjatë ndeshjes në “Stamford Bridge”, Sarri ishte ndoshta trajneri që vërshëllyer më shumë nga tifozët vendas. Koret dhe thirrjet kundër teknikut 60-vjeçar nuk pushuan nga fillimi deri në fund të ndeshjes. Sarri është më pranë se kurrë largimit nga stoli i londinezëve dhe çdo ditë e më shumë ndjehet i braktisur. Bosi Roman Abramoviç duket se është lodhur nga rezultatet zhgënjyese të skuadrës, por mbi të gjitha nga loja, që nuk është aspak në stilin që ai pëlqen. Për Sarrin përpos të gjithave, rëndon shumë edhe pesha e rëndë e humbjes 6-0 nga Mançester Siti, që përbën dhe disfatën më të thellë të kësaj skuadre në historinë e Premier Ligës. Sipas disa medieve nga Angli, Sarri pritet të largohet nga drejtimi i “bluve” para ndeshjes së kthimit në Europa League, ku në “Stamford Bridge” do të zbarkojnë modestët e Bate Borisov.

Për zëvendësuesin e Sarrit momentalisht deri në fund të sezonit pretendenti kryesor është Xhanfranko Zola. Momentalisht Zola është ndihmës i Sarrit dhe shikohet si ideali për ta mbyllur këtë sezon, përpara se në Londër të zbarkojë Zinedin Zidan me “’artilerinë” e rënd.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë