Futboll

Abazaj debuton me gol trepikësh, Basha “killer” në Greqi

Kristal Abazaj ka debutuar në kampionatin kroat ashtu siç vetë do ta kishte dashur. Sulmuesi anësor shqiptar, i cili kaloi para pak ditësh nga Anderlehti tek Osijeku, shënoi golin e fitores për këtë ekip. Trajneri e aktivizoi Abazajn pak pas fillimit të pjesës së dytë të ndeshjes me Istrën dhe ai ia shpërbleu duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes. Ish-lojtari i Luftëtarit goditi saktë brenda zonës, në një pozicion diagonal me portën.

Një prezantim i shkëlqyer i sulmuesit shqiptar në Kroaci, ku pritet që ai të rritet gradualisht dhe të lërë pas periudhën e vështirë që kaloi tek Anderlehti për shkak të mungesës së hapësirës. Abazaj ka kaluar në formë huazimi te Osijeku, ish-ekipi i Eros Grezdës, që gjithsesi e ka të drejtën e blerjes së kartonit, nëse bindet. Elbasanasi është grumbulluar më parë në Kombëtare nga trajneri Kristian Panuçi, por për ndeshjet e fundit ai nuk ka marrë ftesë. Përveç Abazajt, rrugën e rrjetës këtë fundjavë e gjetën edhe Armando Sadiku në Zvicër dhe Kristi Qose në Sllovaki.

Migjen Basha, i dëshpëruar pas kartonit të kuq

Personazh, por në sensin negativ, është bërë këtë fundjavë në Greqi Migjen Basha. Mesfushori me shumë përvojë i Kombëtares e la Arisin me 10 vetë vetëm pas 11 minutash lojë, pasi bëri një ndërhyrje shumë të rrezikshme në këmbët e kundërshtarit dhe pa para fytyrës direkt kartonin e kuq. Një veprim shumë i nxituar i Bashës në ndeshjen kundër Panioniosit të sulmuesit Fiorin Durmishaj, që u mbyll në barazim 1-1. Kritikat për mesfushorin nuk kanë munguar nga shtypi grek për atë ndërhyrje brutale, që e detyroi lojtarin kundërshtar të shkonte në spital. Basha ka pranuar gabimin dhe nëpërmjet profilit të tij në Instagram ka kërkuar falje publike.

Për lojtarët e tjerë të Kombëtares vlen të theksohet se një pjesë e mirë e tyre kanë luajtur titullarë. Elseid Hysaj luajti 90 minuta në krahun e majtë të mbrojtjes në ndeshjen Napoli-Torino, që përfundoi në barazim 0-0. Strakosha u mund 2-1 në fushën e Xhenoas, ndërsa Veseli fitoi 3-0 me Empolin ndaj Sasuolos. Mjaft pozitiv është rikthimi i Amir Abrashit në fushë me Frajburgun pas një mungese të gjatë për shkak dëmtimi. Në Zvicër, Taulant Xhaka mundi 1-0 Sionin e Ermir Lenjanit, ku të dy futbollistët e Kombëtares ishin titullarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë