Kombetarja

A rrezikon të largohet Panucci nëse nuk fiton në shtator?

Me pak eksperiencë, por me shumë dëshirë dhe pasion Christian Panucci u ul në stolin e kombëtares shqiptare të futbollit, duke pasur patriotin e tij Gianni De Biasi, i konsideruar si më i suksesshmi në histori. Panucci firmosi me kombëtaren kuqezi me objektivin e qartë për ta çuar atë për herë të dytë në finalet e kampionatit europian “Euro 2020”. Për të shkuar në këtë kompeticion, tashmë ka dy rrugë, njëra përmes eliminatoreve të zakonshme dhe tjetra përmes Uefa Nations League, turneu më i ri europian.

Ky vit nuk ka qenë shumë pozitiv për kombëtaren shqiptare, ku dy humbjet në takimet miqësore me Ukrainën dhe Kosovën nuk u pritën mirë nga tifozët, opinioni sportiv në vend, por edhe nga vetë njerëzit në federatën tonë të futbollit.

Trajneri i ekipit Kombëtar Shqiptar të futbollit, Christian Panucci, gjatë një seance stërvitore

Por tashmë ato mund të quhen një histori e kaluar dhe përpara tekniku italian ka dy prova të vërteta “zjarri”. Nis Uefa Nations League dhe Shqipëria do të ndeshet me Izraelin në “Elbasan Arena” dhe me Skocinë në transfertë. Këto dy ndeshje, përveç rëndësisë që kanë për kombëtaren, pasi nga ky kompeticion mund të shkohet në finalet e europianit, kanë peshë shumë të madhe edhe për vetë trajnerin.

Panucci mund të rrezikojë seriozisht vendin e tij në krye të pankinës së kombëtares kuqezi për disa arsye.

Së pari, karshi teknikut italian është rritur shumë mosbesimi, pas dy ndeshjeve të fundit, ku humbjet ishin të turpshme. Si detaj që mund të përforcojë këtë tezë mosbesimi mund të shërbejë edhe prania e presidentit të FShF, Armando Duka në stërvitjen e ekipit kombëtar në Durrës.

Së dyti, përtej rezultateve, ajo që shqetëson më shumë te Shqipëria është niveli i lojës. Skuadra kuqezi duket sikur e ka humbur atë identitet që krijoi me De Biasin në krye. E vërtetë që kemi stil loje më sulmues, por Shqipëria me Christian Panucci në bankinë pëson më lehtë, madje edhe përballë kundërshtarëve më të dobët se vetja në letër. Disfatë me Norvegjinë 0-1, humbje me Ukrainën 1-4 dhe më fundit por gjithashtu edhe më e papranueshmja, 3-0 me Kosovën.

Së treti, Panucci, ndryshe nga De Biasi nuk e ka grupin e lojtarëve të bashkuar. Në shumë ndeshje, ai la jashtë ekipit kapitenin Ansi Agolli, por edhe shumë futbollistë të tjerë me kontribut në vitet e fundit në ekipin kuqezi, janë lënë jashtë skuadre nga tekniku italian. Rasti i Sokol Cikalleshit është më i fundit që dëshmon për këtë gjendje.

Panucci në deklaratën për mediat në prag të dy ndeshjeve të këtij kompeticioni të ri kontinental për kombëtaret, deklaroi se tashmë ka mbaruar faza e eksperimenteve dhe do duhet të bëhemi gati për të parë fytyrën e vërtetë të Shqipërisë. Si tifozë të skuadrës sonë kombëtare të gjithë shpresojmë që fytyra e vërtetë e Shqipërisë për të cilën foli Panucci, të jetë ai ekip që tre vite më parë u kualifikua në Europian. Por nëse ndodh e kundërta gjasat që italiani të fillojë të ndjejë dridhjet e para në stolin e kombëtares shqiptare janë të mëdha.

Vlen të theksohet edhe formula e Uefa Nations League. Pasi në një grup ku janë vetëm tre skuadra, duhen minimalisht dy fitore dhe një barazim që të pretendohet për vendin e parë të grupit që të kualifikon për në fazën pasardhëse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë