Analize

A po i hedh Rusia benzinë zjarrit në Veri të Kosovës

Prania e ambasadorit rus në kufirin Kosovë-Serbi të dielën, ndërkohë që Veriu vlon nga tensionet, duket se vërtetoi paralajmërimin e presidentes Vjosa Osmani se Beogradi dhe Moska po përpiqen të përshkallëzojnë situatën për të destabilizuar rajonin.

Mes tankeve, avionëve dhe ushatarëve serbë pranë Jarinjës, qendronte edhe ambasadori Aleksandar Bocan Kharchenko. Ai ka akuzuar Kosovën për provokimin e Serbisë duke thënë se Beogradi nuk ka zgjidhje tjetër vecse të mbrojë njerëzit e saj.

Kharchenko ka shprehur mbështetjen e Rusisë për pozicionin e Beogradit, teksa thotë se kjo situatë po shihet si shqetësuese në Moskë.

“Në Moskë, kjo situatë është shqetësuese,” tha ambasadori rus.

Shfaqja e tij në kufi erdhi një ditë pas paralajmërimit të Vjosa Osmani se tensionet në Veri janë rritur për shkak të planeve ruso-serbe për të destabilizuar rajonin. Presidentja paralajmëronte se Rusia po përdorte në Veri të njëjtat taktika që përdor në vendet Balltike.

Aleksandar Bocan Kharchenko (në qendër)

Osmani i bën thirrje NATO-s dhe BE-së që të mos injorojnë këto zhvillime, të cilat i quajti tentativa të Rusisë për shkatërrimin e arritjeve të amerikane në rajon. “Kjo tendencë ruso-serbe synon që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdor në shtetet balltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuçiç në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, paralajmëronte Osmani.

Moska zyrtare nuk e ka fshehur ndërhyrjen në këto tensione, përkundrazi i është drejtuar Kosovës me disa thirrje publike.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka deklaruar disa ditë më parë se Kosova duhet të tërheqë urgjentisht njësitet policore nga Veriu, duke deklaruar se kjo është një përpjekje e shqiptarëve për të pushtuar zonat e populluara nga serbët.

Sipas Moskës, BE dhe SHBA duhet të bëjnë presion te Kosova që të ndërpresë provokimet ndaj Beogradit.

“Ne presim që mbrojtësit amerikanë dhe evropianë të Prishtinës të kthjellohen në mënyrë që të shmangin një skenar destruktiv që kërcënon të gjithë rajonin”, thuhet më tej në deklaratë.

Ish-ministri serb të Mbrojtjes së Serbisë, Dragan Stutanovac, ka thënë në një intervistë dhënë për të përditshmen opozitare serbe Danas, se Rusia po e përdor situatën e krijuar në Veri të Kosovës me mjeshtëri, për të shtrirë “ndikimin në rajon”, për të fituar disa pikë te qytetarët serbë dhe të krijojë avantazhe të saj ndaj BE-së".

Ai thotë se “Serbia ka rritur praninë e saj ushtarake për të “treguar muskujt’ në konsultim me Rusinë.

Sipas tij, “para se të veprojë Bashkimi Evropian, Rusia dëshiron që këtë situatë ta përdorë përmes shtrirjes në favor të saj dhe për të fituar disa pikë në sy të qytetarëve të cilët besojnë se në rast të përshkallëzimit të situatës, Rusia do të ‘intervenojë’ në konflikt”.

“Rusia do ta shfrytëzojë situatën në Veri për të bërë presion ndaj BE dhe për të zgjidhur problemet e saj në Ukrainë”, thotë ish-ministri serb.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë