Politike

A po distancohet Aleanca për Teatrin nga Basha, dhe kush po fshihet pas saj?

Të gjitha protestat e deritashme të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, (para dhe pas prishjes së godinës), kanë gjetur  mbështetjen e strukturave të Partisë Demokratike.

Dy herë Lulzim Basha i duartrokiti kur protestuan në Tiranë, pas shembjes. Më vonë në Durrës, së fundmi edhe në Kukës, PD-ja angazhoi degët lokale për t’i shtuar në numër.

Por ajo që po kërcet në marrëdhënien xhentëllmene mes tyre janë kërkesat e shtuara të Aleancës thelbësisht politike që synojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor, shpërbërjen e Kushtetutës e deri tek rrëzimi i kësaj klase politike.

Foto: Aktori Neritan Licaj gjate nje proteste oper Teatrin

Në Kukës, aty ku demokratët janë bastion, aktori Neritan Liçaj tha para tubuesve: “Gjithçka na përket, nuk i përket politikës dhe oligarkëve. Shikoj Kukësin, i cili duhet të jetë i pasur pasi ka shumë pasuri nëntokësore dhe mbitokësore, ndërkohë që është i varfër. Rinia është larguar. Te shqiptarët kanë parë një dritë të madhe shprese sepse Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka vetëm një besim, besim tek forca e shpresës…21 vjet kam kaluar në regjimin diktatorial, 30 vjet kam kaluar në këtë tranzicion rraskapitës që na e kanë imponuar. Nuk na e mposhtin dot zemrën e pastër dhe mendjen e kthjellët…”.

Paralelisht me thirrjet kundër politikës, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit paraqet një letër publike për Lulzim Bashën.

“I nderuar z. Basha, më 25 korrik 2019, ne, anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (AMT), kemi nënshkruar një kontratë me ju, si kryetar i PD dhe Opozitës së Bashkuar. Në paragrafin 5 të kësaj kontrate shkruhet: “Partia Demokratike angazhohet për një sistem zgjedhor, që u jep mundësi qytetarëve të shprehen për përfaqësuesit e tyre dhe një reformë kushtetuese, që synon rritjen e kontrollit dhe balancës ndërmjet pushteteve apo forcimin e llogaridhënies dhe kontrollit ndaj pushtetit…”, i kujton Aleanca, Bashës.

Një kontratë që më së shumti lidhet me disa angazhime të Bashës kur ajo të vinte në pushtet bashkë me opozitën e bashkuar…

Aleanca e risolli temën e ndryshimit të sistemit, atëherë kur Lulzim Basha e dha përgjigjen e tij se ky nuk është debati i kësaj kohe.

Edhe nëse do të ishte, Aleanca flet për një sistem proporcional Kombëtar ndërsa Basha për një sistem mazhoritar të pastër.

Kërcitja e dytë e Aleancës në raport me opozitën duket edhe në një tjetër kërkesë as fare e përfshirë në kontratën mes tyre.

“Ne kërkojmë gjithashtu hapjen e debatit kombëtar për një Kushtetutë të re, hartimin brenda vitit dhe miratimin me referendum në pranverë 2021”,  kërkesë kjo e pa artikuluar në asnjë kohë nga Lulzim Basha qyshkur palët i dhanë ndryshimin e fundit Kushtetutës me reformën në drejtësi.

Pyetja që lind rëndom është se pse Aleanca i drejtohet publikisht Lulzim Bashës në një kohë kur mund t’ia rikujtonte (kontratën dhe premtimin) edhe në kanale krejtësisht zyrtare sa kohë që njerëzit e saj po i shtojnë numrat në protestë?

Pse Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po i shton Lulzim Bashës edhe një këmborë të padobishme politike për rrëzimin e Kushtetutës?

A ka një ftohje mes tyre ashtu siç po shihet e flitet në rrugë jo zyrtare?   

Ajo që nuk ka nevojë për përgjigje është se Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka tejkaluar lëvizjen e saj.

Me deklarata alla revolucionare të tipit “të çojmë popullin tek shtëpia e Ramës” e deri tek kërkesat thelbësisht politike si ndryshim sistemi apo rrëzimi i kësaj Kushtetute, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po ravijizohet në një lëvizje politike, por e paqartë se kush do t’i prijë.

FOTO: Regjizori Edmond Budina ne nje deklarim per mediat gjate protestave ne Tirane

Edmond Budina është shfaqur i pafuqishëm për ta bërë këtë gjë. Dhe madje e ka shprehur.  

“E kam thënë dhe do ta them nuk do të merrem më me politikë. Kam qenë një herë dhe nuk kam përfituar asgjë…”.

Por ka shtuar gjithashtu se, “nëse do krijohet parti, atë nuk e vendosim ne por vetë populli”.

Për të kuptuar diçka më shumë nga lëvizja konfuze e kësaj Aleance le të merremi me disa të vërteta publike.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon ndryshimin e sistemit. Rama dhe Basha jo. Të paktën për momentin.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kërkon rrëzimin e kësaj Kushtetute? Rama dhe Basha jo. As e kanë përfshirë në diskurin e tyre politik.

I vetmi që ka folur shumëçka për këtë Kushtetutë duke i lidhur betejat e tij të mëhershme me këtë çështje është Ilir Meta.

Ndryshe nga Lulzim Basha që e ka risjellë vëmendjen tek problemi i ditës si ekonomia e vendit, masat anti-covid dhe reforma zgjedhore, Ilir Meta është i vetmi që vijon të flasë për Teatrin, të mbështesë deklaratat e “Europa Nostra” dhe së fundmi të shpërndajë edhe një këngë të dy këngëtarëve italianë, po për Teatrin.

“Një këngë homazh që duhet të na zgjojë dhe frymëzojë të gjithëve, për të krijuar një front të përbashkët për rivendosjen e demokracisë”, shkruan Ilir Meta.

Për rivendosje të demokracisë foli edhe Edmond Budina në Kukës, duke i ftuar qytetarët “për një marshim gjikand” në Tiranë...

…Ilir Meta është shprehur se do të jetë President deri në fund të mandatit, por pa përgjigje se çfarë do të bëjë nëse do të shkarkohet në vjeshtë nga Kuvendi…  

…“Kjo tregon që ai është ende i ri…” u përgjigj aty për aty Monika Kryemadhi kur u pyet pak ditë më parë mbi ndjesinë e kryeministrit Rama se Ilir Meta do të drejtonte një lëvizje politike me Aleancën për Teatrin.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë