Para

A ngjan entuziazmi për kriptomonedhat me atë kur lindën piramidat në Shqipëri?

Nga Gisela Troplini - Ekspertët shqiptarë të financave janë të ndarë kur vjen puna tek kriptomonedhat dhe rregullimi i kuadrit ligjor të tyre, shumë prej tyre duke përmendur nevojën e një autoriteti rregullator dhe duke i parë me skepticizëm e rrezik për përdorimin e gjerë.

Eksperti dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj i përshkruan kriptomonedhat si “financa euforike” dhe me ndikime negative jo vetëm ekonomikisht. Ai thotë se në fakt, nuk pranon t’i quaj “kriptomonedha”, por “kriptoasete”.

“Unë jam skeptik sepse ne kemi kaluar histori të hidhur me ato që i quajmë financa euforike. Në të gjitha rastet ka edhe pro edhe kundër. Edhe në kohën e tulipano-manisë, ku njerëzit shisnin shtëpitë për të blerë tulipanë, kush dilte kundër i thoshin ‘ju nuk e kuptoni zhvillimin, ju  jeni shpirtzinj’. Jam munduar t’i ndjek dhe kam merak për investitorët. Sëmundjet e financave euforike janë shqetësuese. Për mua ‘avantazhe’ si mospagimi i taksave, anonimiteti dhe fshehtësia janë disavantazhe. Për financat publike, çdo gjë që fshihet nga to ka impakt negativ”, u shpreh z.Malaj duke kujtuar një shprehje të Tim Cook, “Njerëzit shqetësohen se kompjuteri mendon si njeriu, por unë shqetësohem se njeriu vepron si kompjuter”.

Për kryetarin e Shoqatës së Bankave, Spiro Brumbulli, kriptomonedhat janë thjeshtë një skemë Ponzi, por teknologjia blockchain është e ardhmja.

“Kur doli kripto, bëri bujë se kemi një monedhë të re dhe ishte ndëshkim që nga mënyra se si u propagandua. Problemi është tek luhatshmëria e vlerës, humbjet e investitorëve nuk adresohen gjëkundi. Në rregull decentralizimi, nuk e kontrollon njeri, por kush e menaxhon nga pikëpamja teknike? Kush e mirëmban? Kush paguan fatura? Ne nuk i marrim dot këto informacioni sepse askush nuk ka të drejtë t’i kontrollojë, është e panjohur. Ne besojmë tek euro dhe dollari sepse besojmë institucionin. Ne e duam paranë për të shpenzuar dhe kriptot nuk i shpenzoni dot. Gjithsesi blockchain është inovacion në financë dhe bankat qendrore pasi nxorën disa mësime, po tentojnë të nxjerrin monedhat e tyre digjitale”, - tregoi z.Brumbulli.

Eksperti Artan Gjergji pranon se është entuziast i kriptove duke parashikuar një të ardhme të ndritur për to, ndonëse pranon se kanë qenë mjete të keqpërdorura.

“Paraja është thjesht mjet pagese. Ka disa kritere; të jetë gjerësisht i pranuar, të ketë vlerë fikse, të jetë i coptueshëm. Nëse ne bindim që një objekt, send etj. është mjet pagese ai bëhet mjet pagese. Sigurisht në çdo lloj të tillë ka mashtrues e spekulantë dhe në këtë rast Bitcoin është keqpërdorur. Misioni është pozitiv, por ka pasur devijime. E demonizojmë Bitcoin por ccdo aset kështu reagon kur përdoren skema ‘pump&dump’ (rritje fiktive e vlerës). Sistemi i decentralizuar të jep mundësinë të bësh rregullime dhe përmirësime. Ai është i besueshëm pikërisht sepse është i decentralizuar dhe askush nuk mund të fusë duart e të manipulojë. Në 10-15 vite sistemi bankar do të ndryshojë plotësisht.

Për profesor Adrian Civicin, i cili sapo ka publikuar dhe librin e tij “Bitcoin&Kriptomonedhat: Revolucioni monetar i arit digjital”, u shpreh se kriptomonedhat më shumë se sa investim janë përfshirja në një sistem pagesash, që përpos rreziqeve që mbartin po fitojnë terren edhe në vendi tonë, sidomos tek të rinjtë.

“Kur po u shpjegoja studentëve të mi për herë të parë një leksion për to, më thanë ‘po ne kemi tre vite që merremi dhe bëjmë mining vetë’. Dhe unë pastaj i mora të flisnimin, këtu nisi dhe ideja e librit që fillimisht u mendua ese, por informacionet vetëm shtoheshin”.

Prof.Civici tregoi se koncepti i financave të decentralizuara nuk lindi në 2009-n me Bitcoin dhe Satoshi Nakamoton, por që në 1975-n nga nobelisti Friedrich August von Hayek. Ekonomisti i shkollës austriake të ekonomisë shpiku konceptin e “denacionalizimit financiar”, ku ai mbronte idenë e krijimit të parave private që emetohen në një mjedis konkurrues, pra si monedhat digjitale sot, ndonëse ai nuk e konceptonte një gjë të tillë atëherë.

Ekspertët ishin të ftuar në një panel diskutimi nga Vial Community, Start Up-i i parë në Shqipëri për kriptomonedhat, që synon të jetë Shoqëria e parë Autonome e Decentralizuar (DAS) përmes blockchain-it, aplikacioneve të konsumatorit dhe një sistemi të drejtë qeverisjeje të bazuar në token-in që operon në ekonominë e re të pronësisë së Web3.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë