Analize

A mund t’i tërheqë SHBA në të ardhmen trupat edhe nga Kosova?

Gjithçka që ka ndodhur në Afganistan ditët e fundit si pasojë e tërheqjes ushtarake amerikane ka nxitur debat global. Në Prishtinë ka pasur reagime më alarmante, duke rikthyer në vëmendje kërcënimet e vazhdueshme të administratës së ish-presidentit Trump për tërheqjen e ushtrisë amerikanë nga Kosova.

Përveç pranimit të refugjatëve, Kosova përmendur edhe si krahasim me Afganistanin, sidomos nga mediat për shkak të prezencës së forcave amerikane. Disa ekspertë thonë se nuk mund të tërhiqen paralele mes Kosovës dhe Afganistanit, por të tjerë theksojnë se trupat amerikane nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë, duke e fokusuar debatin tek ajo që mund të ndodhte si pasojë.

Por a ndërlidhen këto dy situata dhe mund të bëhen realitet kërcënimet e Administratës Trump, ashtu siç u bë realitet tërheqja e trupave nga Afganistani.

Eksperti amerikan dhe profesori i Johns Hopkins University, Daniel Serwer thotë se ka një lidhje vetëm sipërfaqësore mes dy situatave. Serwer thotë se shqiptarët e Kosovës do të donin që amerikanët të qëndronin për një kohë të pacaktuar në Kosovës, ndryshe nga afganët.

“Ato janë të ndërlidhura vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Trupat e SHBA-së kanë qenë gjithmonë të mirëseardhura në Kosovë, të cilës i mungonte një ushtri. Shumë kosovarë (shqiptarë, serbë dhe komuniteti të tjera) do të donin që ata të qëndronin për një kohë të pacaktuar. Ky nuk ishte rasti në Afganistan, i cili kishte ushtrinë e vet dhe nuk e donte praninë amerikane”, ka thënë Serwer.

Eksperti amerikan thotë më tej se gjerat kanë shkuar aq keq me tërheqjen në Afganistan sa që do të habitej nëse dikush do të propozonte një tërheqje trupash në ndonjë vend tjetër në të ardhmen e afërt.

Ai thotë se Afganistani para 20 vjetësh ka qenë një kërcënim real për SHBA-së për shkak të talibanëve të Al-Kaedas, por thekson se Kosova nuk ka qenë asnjëherë rrezik për SHBA-në dhe se ndërhyrja ushtarake në Kosovë u ndërmor për të parandaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin.

Sewer gjithashtu thotë se ndërtimi i shtetit në Kosovë ka qenë shumë më i suksesshëm në Kosovë sesa në Afganistan.

“Kosova asnjëherë nuk ka qenë kërcënim real për SHBA-në. Në kemi ndërhyrë atje për të parandaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin dhe kemi qëndruar për të mbrojtur ndërtimin e një shteti demokratik, një proces që ishte shumë më i sukseshëm në Kosovë sesa në Afganistan”, ka përfunduar Serwer.

Debat lidhur me tërheqjen e mundshme të ushtrisë amerikane nga Kosova ishte nxitur edhe gjatë kohës kur Kosova e drejtuar nga kryeministri, Albin Kurti, kishte refuzuar heqjen e taksës për Serbinë. Por kishte insistim të fuqishëm nga administrata Trump që të hiqeshin barrierat tregtare mes dy shteteve me qëllim të vazhdimit të dialogut. Kjo kishte çuar edhe me daljen e LDK-së nga koalicioni dhe rënien e Qeverisë, meqë partia që atë kohë drejtohej nga Isa Mustafa thoshte se s’mund të qëndronte në koalicion me një parti që ndërmerr veprime anti-amerikane.

Senatori amerikan, Rand Paul, kishte thënë se përkrahte një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë dhe se kishte ardhur koha që trupat amerikane të ktheheshin në shtëpi. Këtë Paul e kishte thënë teksa kishte shpërndarë një postim të senatorit tjetër David Perdue i cili kërkonte heqjen e pengesave për Serbinë.

Kërkesën që trupat amerikane të ktheheshin në SHBA e kishte bërë edhe djali i ish-presidentit Donald Trump, Donald Trump Jr. Ai thoshte se pajtohej me heqjen e pengesave për Serbinë dhe se ishte koha që ushtria amerikane të kthehej në shtëpi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë