Irena Beqiraj

A mund të transformohet PD nga grupim funksional në grupim efektiv?


“Nëse të gjithë janë duke menduar njësoj, asnjë nuk është duke menduar gjatë”. Ky është aforizmi, i cili përshkruan deri diku “rezistencën” e disa intelektualëve për të mos qenë pjesë e grupimeve funksionale, ose për të shmangur atë që në ekonomiksin e sjelljes quhet “i menduari në grup”.

Nëse ndonjë prej nesh përpiqet t’i rezistojë të menduarit në grup, padyshim do të etiketohet si antikonformist, apo më keq konfliktual, ndërkohë që në fakt është thjesht sfidues i “të menduarit njësoj”, e duke pritur mbase naivisht formimin e grupimeve efektive.

Për të dalluar ndryshimin midis një grupimi funksional dhe një grupimi efektiv metafora e përdorur nga Scott Page në librin e tij “Diferencat” është më e goditura.

Një grup funksional është si një kuti me mjete të mira pune, ndërsa një grup efektiv është një kuti e mirë me mjete pune. “Me një duzinë çekiçësh të mirë nuk mund të bësh një punë, e cila do të kërkonte kaçavidë, pincë apo dhe sharrë”. Kjo metaforë e thjeshtë tregon sesa i rëndësishëm është diversiteti brenda grupimeve politike dhe shoqërore për të pasur vendimmarrje efektive.

Kishte një grimcë shprese se debati i hapur brenda PD-së mund ta transformonte PD-në nga një grupim funksional në një grupim efektiv, por fatkeqësisht duket se kemi sërish të bëjmë me formëzimin e dy nëngrupimeve funksionale.

Brenda PD-së, padyshim kanë ekzistuar pikëpamje kundër qëndrimit të tejzgjatur të Berishës, apo apatisë edhe mungesës së Lidershipit të Bashës, por mjaftoi një çështje emergjente e shtruar për zgjidhje, e cila i grumbulloi anëtarët e PD-së në dy nëngrupime të ndryshme. Jo fare çuditërisht pikëpamjet e tyre pro apo kundër u bënë dhe më ekstreme sesa pikëpamjet e mëparshme që kishte çdo anëtar i tyre i vetëm. Kur një nëngrupim funksional formëzohet, njerëzit me pikëpamje të njëjta bëhen më të sigurt, duke kaluar nga heshtja te bregu tjetër, polarizimi. Në debatin e sotëm shfaqet hapur tendenca për të përdorur të njëjtat argumente, të njëjtin arsyetim dhe po të njëjtin informacion. Qëllimet e debatit nuk kanë të bëjnë me shkëmbimin e këndvështrimeve dhe marrjen e vendimeve të mençura, por më së shumti qëllimi është arritja e kohezionit të nevojshëm brenda nëngrupimeve të formuara.

Dukshëm çdo mbështetës i Berishës, i bishton argumentit përse Berisha pikërisht sot që u prek personalisht po i kundërvihet Bashës, ndërkohë që çdo argument i dhënë nga mbështetësit e Bashës për vendimmarrjen e tij personale mbi këtë çështje rri mbi një këmbë.

Teorikisht, të gjithë e pranojmë fuqinë përparuese të mosmarrëveshjes, edhe pse jetojmë në një botë që dëshiron të merret vesh, por praktikisht komoditeti i dakordësisë pa asnjë debat, është i parezistueshëm në grupimet funksionale. Kërkesa e grupit ndaj çdo anëtari është dakordësia, edhe anëtarët duhet të jenë të gatshëm të ofrojnë vetëm atë. Grupimet funksionale janë kështu buqetat me “profile të heshtura anëtarësh”, të cilët pranojnë pa ekuivok si informacionin më të drejtë, njohurinë më të saktë, apo vendimmarrjen e duhur atë që pranon gjithë grupi pa tentuar ta sfidojnë atë.

Anëtarët e grupit ofrojnë komoditetin e dëshiruar për grupin, duke hequr dorë nga ushtrimi i të menduarit. Pamundësisë për të qenë të lirë, i veshin kostumin e mirënjohjes ndaj liderit dhe grupit. Për këtë arsye z. Noka do të përplasej edhe fizikisht në një konflikt që nuk ka nevojë as fare për forcë fizike, sikurse z. Bardhi do të përdorte gjithë hidhësinë dhe mjetet e shantazhit kundër çdo kundërshtari të pikëpamjeve dhe veprimeve të Bashës, të cilat i ka përqafuar dhe i mbron me fanatizëm.

Për më tepër, çdo ditë e më shumë të dy nëngrupimet e krijuara rishtazi në PD po popullohen nga “të ngjashmit” duke përcaktuar njëherë e mirë destinacionin e tyre për të ekzistuar si grupe funksionale, duke mos u shndërruar kurrë në grupe efektive pasi “nëse vendos tre çekiçë në një komision përzgjedhje, ata ka të ngjarë të përzgjedhin ‘një çekiç tjetër’”.

Fatkeqësisht çdo grupim politik dhe shoqëror që ekziston në shoqërinë tonë sillet si grupim funksional. Debati në PD, vetëm sa ka nxjerrë në dritë të diellit faktin se kur bëhet fjalë për ndërveprimin shoqëror apo politik ligjet e fizikës nuk funksionojnë: të kundërtat nuk tërheqin. Që të kundërtat të bashkëjetojnë duke formëzuar grupime efektive duhet që anëtarët e grupit të synojnë një qëllim më të madh se interesat personale, si dhe të pranojnë që vetëm liria e fjalës çliron lirinë e mendimit duke ushqyer mendimin ndryshe.

Jemi larg kësaj faze në çdo aspekt, e në çdo grupim shoqëror e politik, pa përjashtim.


Copyright © Gazeta “Si”