Irena Beqiraj

A mjafton bonusi i bebeve?


Që prej janarit 2019 u tetëfishua bonusi i bebeve. Me gjithë mungesën e rakordimit të shifrave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kryeministrit për numrin e bonuseve, (KM thotë 150 mijë e Ministria 140 mijë), ajo që vlen të përmendet është që bonusi i bebeve si politikë e vetme nuk ka mjaftuar edhe nuk mjafton për rritjen e numrit të lindjeve.

Ndërkohë që rritja e numrit të lindjeve apo karakteristikat demografike të popullsisë janë parakusht për zhvillim afatgjatë ekonomik. Plakja e popullsisë është fenomeni më kërcënues për rritjen ekonomike afatgjatë, edhe për ekonomitë e zhvilluara. Ndërsa për ekonomitë në zhvillim plakja e popullsisë e shoqëruar me emigracionin janë atrofizuesit e “muskujve të ekonomisë” edhe frenuesit bazë të zhvillimit.

Bonusi nuk mund edhe nuk do të ndikojë asnjëherë i vetëm në rritjen e lindjeve, si i tillë nuk mund të klasifikohet as si mjet i nevojshëm e aq më pak i mjaftueshëm. Më tepër se një instrument i politikëbërjes është një dhuratë që ne si shoqëri, nëpërmjet qeverisë japim në lindjen e një fëmije.

Por cili çift i përgjegjshëm do të vendoste të bënte një fëmijë, sepse babai, nëna apo edhe shoqëria nëpërmjet qeverisë kanë vendosur t’i bëjnë një dhuratë me lindjen e fëmijës së parë, të dytë apo të tretë? 

Asnjë! Sepse siç thuhet në anët e mia - të rrisësh një fëmijë është si të mbushësh një pus me gjilpëra.

Të rritësh një fëmijë, është një investim të paktën 18-vjeçar, i cili kërkon para, strehë, siguri ekonomike, shëndetësore edhe arsimore.

Por le të mbetemi te shpenzimet që kryen një familje normale, e cila tenton t’i sigurojë fëmijës nevojat bazike, strehë, veshmbathje, ushqim, arsim edhe kujdes shëndetësor.

E pra, fillimi i hartimit të një politike sociale, e cila tenton të nxisë lindjet, fillon me këtë matje. Sa kushton rritja e një fëmije?

Një matje e tillë e bërë në Angli në vitin 2015 tregonte se rritja e një fëmije kërkonte minimalisht 250.000 pound. Në Shqipëri nuk jam në gjendje ta them sepse nuk e di nëse ka një matje të tillë.

Nëse e kemi, pyetja e dytë është sa familje kanë mundësi të sigurojnë pa ndihmën e shtetit në 18 vjet shumën që nevojitet?

Shqipëria ka rreth 40% të popullsisë që jetojnë nën kufirin e varfërisë. Kështu që pjesa dërmuese e familjeve do të rezultonin me një nevojë të vazhdueshme për ndihmë nga shteti gjatë rritjes së fëmijëve.

A kemi ndonjë anketë të detajuar se çfarë i pengon familjet e reja për të pasur fëmijë, përtej vullnetit? Në anketat që bëhen në botë, strehimi është komponent i rëndësishëm. Cila mund të ishte një politikë që mund të lidhte strehimin me rritjen e numrit të lindjeve?

Zgjidhje të shpejta, vendimet brenda natës si bonusi i bebeve nuk kanë lidhje me politikat, por me dhuratat të cilat kurrë nuk mund të ndikojnë  vendimmarrjet kaq të rëndësishme për njerëzit. Dhuratë që qeveria zemërgjerë, siç e do zakoni, por jo racionaliteti nuk i kursen paratë e buxhetit të paktë, edhe paguan bonus dhuratë edhe për fëmijët e shqiptarëve që jetojnë e lindin jashtë shtetit. Për të bërë politika të arsyeshme që japin rezultate, qeveria duhet të kryejë matjet e nevojshme, të administrojë informacionin që i duhet për të  targetuar më mirë pikat e ndërhyrjes.

Në të kundërt, do vazhdojë të jetë e lire në miell edhe e shtrenjtë në krunde, duke gajasur rrjetet me mosrakordimin e numrit të përfituesve.


Copyright © Gazeta “Si”