Analize

A ka ardhur koha që maskat në Shqipëri të shpërndahen falas?

Nga Xhuliana Toci - Një supermaket në Bulevardin "Zogu i Parë" në Tiranë nuk lejon askënd të hyjë pa u pajisur me maska dhe doreza. Në hyrje roja u siguron të gjithëve atyre që nuk kanë mjete mbrojtëse, maska të thjeshta kirurgjikale, doreza ose dezinfektues. Me lehtësimin e masave për mbrojtjen nga epidemia e koronavirusit, supermarket dhe farmacitë po qëndrojnë të hapura deri në orën 17:30. Por ndryshe nga dy javë më parë, kur ishte e vështirë të shihje qytetarë që hynin pa maska nëpër supermarkete, banorët e Tiranës duken më të relaksuar, duke dalë shpesh pa mjete mbrojtëse nga shtëpia.

“Nuk e di edhe sa kohë mund të vazhdojmë të pajisim njerëzit me maska dhe dorëza. Nuk kemi mundësi”, më thotë roja i supermarketit duke më kërkuar t’i ruaj anonimitetin. “Ishalla ndërgjegjësohen vetë”.

Së bashku me numrin e bizneseve që kanë hapur dyert këtë javë, duket se është rritur edhe numri i qytetarë që lëvizin në rrugët e Tiranës. Ndryshe, nga Kosova, Shqipëria nuk e ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave, por në banka dhe institucionet zyrtare askush nuk lejohet të hyjë nëse nuk është i pajisur me mjete mbrojtëse.  Mjekët në frontin e parë të betejës me koronavirusin, kanë bërë thirrje që të tregohet më kujdes se kurrë, duke u kërkuar qytetarëve të ruajnë distancën fizike dhe duke u këshilluar të pajisen me maska.  

Tani që po hyjmë në fazën e dytë të epidemisë, ekspertët europianë thonë se ka ardhur koha për të kaluar nga e “thëna në të bërë”. Shumë vende europiane pritet të bëjnë të detyrueshme javën e ardhme mbajtjen e maskave në rrugë, duke nxitur edhe diskutimet për shpërndarjen falas të maskave për të gjithë qytetarët.

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria po ndjek modelin austriak për hapjen e ekonomisë dhe daljen nga izolimi. Megjithatë, Austria këtë javë nisi shpërndarjen falas të maskave dhe dorezave për të gjithë qytetarët e saj, duke argumentuar se kushti kryesor për lehtësimin e masave është rritja e masave mbrojtëse të qytetarëve. A duhet të bëjë edhe Shqipëria të njëjtën gjë?

Në fillim të epidemisë vendi ynë u përball me një mungesë të theksuar të maskave, e cila u pasua më pas nga çmimet stratosferike. Në  javën e parë të izolimit, një maskë e thjeshtë kirurgjikale kushtonte 5-6 mijë lek të vjetra, por kjo nuk i ndaloi qytetarët e shqetësuar t’i blinin. Tanimë, për të njëjtin çmim mund të blesh një maskë shumë më të sigurt, por interesi i qytetarëve nuk duket i njëjtë.

Në një farmaci në Bulevardin "Zogu i Parë", farmacisti thotë se maskat më të mira dhe me çmimin më të arsyeshëm për mbrojtjen nga koronavirusi kushtojnë 6 mijë lek të vjetra.

“Maskat vijojnë nga 1 mijë lek (ato kirurgjikalet), deri në 15 mijë lek të vjetra”, më thotë ai duke nxjerrë një karton të madh me disa prej modeleve. Një muaj më parë, në këtë farmaci ishte e pamundur të gjeje alkool dhe aq më pak maska, prandaj edhe vendosa ta pyes nëse në treg ka ende mungesa të maskave dhe mjeteve mbrojtëse. “Them se njerëzit po blejnë në mënyrë më të arsyeshme. Nuk kemi pasur mungesa prej javësh”, thotë ai. “Maska më e shitur është kjo 6 mijë lekëshja”, shton duke më treguar një prej modeleve. Të gjitha farmacitë rreth e rrotull kishin të njëjtat çmime.

Megjithatë, një maskë më e sigurt se ato kirurgjikalet, pavarësisht çmimit të saj (2600 apo 10.000 lek të vjetra), siç shpjegojnë ekspertët nuk mund të mbahet më shumë se 72 orë, pasi bëhet jo-efektive. Kjo do të thotë se anëtarët e një familjeje duhet të ndërrojnë maska të paktën një herë në tre ditë. Edhe pse kostoja e tyre është më e ulët se në fillim të epidemisë, blerja e tyre është një luks për shumë familje të varfra shqiptare, të cilat janë edhe më të prekurat nga kriza ekonomikë që ka sjellë epidemia.

Në praktikë, shpërndarja e maskave, është e thjeshtë. Ato mund vendosen në kuti të mëdha në spitale, si dhe farmaci dhe supermarkete. Kostot ekonomike nuk janë të vogla, por siç thonë ekspertët austriakë, përfitimet në betejën me Covid-9 janë të jashtëzakonshme!

Autoritetet austriake për shembull kanë filluar të shpërndajnë miliona maska ​​në hyrje të të gjitha supermarketeve. Kancelari Sebastian Kurz e bëri të qartë të hënën se qytetarët do të lejohen brenda supermarketeve dhe dyqaneve të tjera të hapura, vetëm nëse mbajnë maska.

Masat falas të dorëzuara nga qeveria austriake nuk plotësojnë të njëjtat standarde mjekësore si maskat e përdorura nga mjekët dhe infermierët, por Vjena shpreson që duke detyruar qytetarët të mbulojnë hundët dhe gojën në publik, edhe pse me masa të thjeshta, do të kenë një ndikim domethënës në frenimin e virusit.

Këshilltarët mjekësorë të qeverisë austriake thonë se koronavirusi i ri ka të ngjarë të përhapet përmes piklave të kollitjes dhe teshtitjes. Një maskë e thjeshtë është e mjaftueshme për t’i penguar të hyjnë në trup.

Pas vendimit të qeverisë, Kryqi i Kuq ka lëshuar udhëzime në Austri se si qytetarët mund t’i bëjnë maska ​​e tyre në shtëpi nëpërmjet copave të pambukut dhe filtrave. Qepja e këtyre maskave ka marrë një hov të madh edhe në vendin tonë, ku jo vetëm fasoneritë, por qindra rrobaqepëse kanë nisur të qepin maskat e tyre. Në Lushnjë, një rrobaqepëse nisi t’i shpërndante falas për të gjithë qytetarët, duke u solidarizuar me qytetin e saj.

Një shembull tjetër vjen nga Turqia, ku qeveria u ka blerë maskat të gjitha fasonerive dhe rrobaqepësive dhe po i shpërndan nëpër dyqane ushqimore dhe farmaci. Në përgjigje të Covid-19, Ankaraja nisi prodhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mbrojtëse personale jo vetëm brenda vetë Turqisë, por edhe jashtë saj, duke dërguar ndihma edhe në vendin tonë, Britaninë e Madhe, Spanjën, dhe Itali.

Fasoneri në Tiranë, Gazeta "Si", 23 prill 2020

Shkollat​​ profesionale në Stamboll janë shndërruar në fabrika që qepin maska ​​për fytyrën dhe veshje mbrojtëse për trupin. Të tjera fabrika po prodhojnë dezinfektuesve, alkool mjekësor dhe produkteve të tjera anti-bakteriale. Mbajtja e maskave është e detyrueshme në vende publike si tregjet, por ato nuk shiten më askund. Kjo është ndaluar sepse qeveria po i shpërndan ato falas në farmaci dhe po i shpërndan nëpër shtëpi.

Shqipëria ka qenë ndër vendet që ka marrë masat më agresive dhe më të shpejta në Europë, duke frenuar totalisht jetën publike, e nxitur edhe nga ajo që po ndodhte në Italinë fqinje. Megjithatë, siç thotë edhe kryeministri austriak, hapi i parë për frenimin e epidemisë nuk është në dorë të qeverisë por të qytetarëve.

“Tani qytetarët duhet të bëjnë pjesën e tyre dhe mësohen me mënyrën e re të jetesës, ruajtjen e distancës fizike, përdorimin e maskave për çdo situatë jashtë shtëpisë dhe larjen e shpeshtë të duarve”, tha Kurz të hënën. "Jam plotësisht i vetëdijshëm që të veshësh maska ​​është diçka e huaj për kulturën tonë," shtoi ai.

Modeli austriak, të cilit i referohet Shqipëria për hapjen e ekonomisë, bazohet vërtet tek ndërgjegja e vetë qytetarëve për të ruajtur veten dhe njëri-tjetrin, por edhe u ofron atyre të gjitha mjetet mbrojtëse për ta bërë këtë. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë biznese kanë filluar të ringrenë qepenat, ndoshta ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë të njëjtën gjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë