Shendet

A janë këto vraga në këmbë shenja të Covid-19? Dyshohet për simptomë të re

Vragat dhe lezionet në këmbë mund të jenë një shenjë e koronavirusit. Të paktën kështu dyshojnë mjekët në Spanjë, sipas të cilëve pacientë me shenja të purpurta apo mavi në gishtërinjtë e tyre të këmbës kanë testuar pozitiv për infeksionin Covid-19. Raste të shumta janë raportuar në Spanjë, si dhe në Itali dhe Francë, ndërkohë që sëmundja vazhdon të sundojë nëpër Evropë.
Një nga rastet e para të raportuara ishte një djalë 13-vjeçar në Bari të Italisë, lezionet e të cilit fillimisht u mendua se ishin shkaktuar nga një pickim merimange. Ekspertët paralajmërojnë se simptoma misterioze është parë kryesisht në fëmijë dhe adoleshentë. Por manifestimet e lëkurës të shkaktuara potencialisht nga virusi janë parë në një në pesë pacientë të një spitali italian.

Në mënyrë tipike virusi SARS-CoV-2 shkakton një kollë dhe ethe të vazhdueshme. Por kohët e fundit studimet kanë nënvizuar se shenja të tjera janë diarreja, shenja në lëkurë, dhimbje testikujsh dhe humbje e shijes dhe nuhatjes.
Këshilli i Përgjithshëm Spanjoll i Podiatristëve ka shpërndarë një deklaratë mbi këto “gjetje kurioze”. Në të përshkruheshin pacientët që kishin lezione të purpurta të cilat janë shumë të ngjashme me ato të lisë së dhenve apo fruthit, të shkaktuara nga inflamacioni i enëve të vogla të gjakut. Ekspertët në Spanjë tani po mbledhin një bazë të dhënash të personave që janë testuar pozitivisht për virusin, të cilët ndërkohë kanë edhe shenja në këmbët e tyre.
Gjithashtu edhe dermatologët nga qendra të ndryshme shëndetësore spanjolle po udhëheqin një studim “Covid-Skin”, për të kategorizuar lezionet që janë vërejtur te pacientët me koronavirus.
Zyrtari i Shërbimit të Shëndetit Publik në Mbretërinë e Bashkuar, Dr.Daniel Gordon shprehet se “nuk do të ishte habi nëse rezulton e vërtetë që Covid-19 shkakton simptoma në lëkurë”.
“Shumë viruse shkaktojnë skuqje të lëkurës dhe shenja. Viruset kanë tendencë të prekin pjesë të shumta të trupit sesa vetëm një sistem, megjithëse në rastin e COVID-19 me siguri janë mushkëritë ato që goditen më së shumti”, thotë ai.

“Këto gjetje janë vetëm raporte rastesh për momentin, ndaj kërkohet më shumë punë nga shkencëtarët për të zbuluar nëse ekziston një korrelacion mes virusit dhe tyre”, shprehet zyrtari i lartë i shëndetit publik britanik. Sipas tij, një teori është se shenjat e lëkurës janë shkaktuar nga mbyllja e enëve të vogla të gjakut, të cilat mund të shkaktohen nga mënyra se si sistemi nervor i kundërpërgjigjet virusit.
Një studim mbi 88 pacientë në Spitalin “Alessandro Manzoni” në Lecco, në veri të Italisë, zbuloi se 20 përqind e tyre ishin ankuar nga manifestimet në lëkurë. Ata nuk kishin marrë asnjë ilaç apo mjekim në 15 ditët e mëparshme, çka mund të kishte shkaktuar një reagim të lëkurës. Katërmbëdhjetë pacientë kishin një skuqje të kuqërremtë, tre kishin shenja urtikarie, dhe një pacient kishte shenja të ngjashme me linë e dhenve. “Këto manifestime të lëkurës janë të ngjashme me ato që pëson lëkura gjatë infeksioneve virale të zakonshme”, tha autori i raportit Dr.Sebastiano Recalcati.
Ndërkohë mjekët në Tajlandë - vendi i parë jashtë Kinës që raportoi një rast të koronavirusit - kanë ngritur shqetësime se problemet e lëkurës të shkaktuara potencialisht nga Covid-19 do të diagnostikohen gabimisht si diçka tjetër. Ata përshkruanin se si një burrë me Covid-19 u diagnostikua fillimisht me ethe tropikale, për shkak të njollat tipike vjollcë, të kuqe ose kafe në lëkurën e tij./mailonline


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë