Kombetarja

A ishte Islanda fillimi i ciklit “Kombëtare me sa më pak kosovarë”?

Ëndrra e madhe e gjithë shqiptarëve “një komb, një kombëtare”, do të mbetet në sirtar përgjithmonë. Për shumë e shumë arsye, nuk mund të kemi një kombëtare futbolli të përbashkët. Do të kemi Shqipërinë dhe Kosovën, secila për llogari të vet. Kosova është një skuadër më e bukur për momentin, luan një futboll simpatik dhe rezultativ, ndërsa Shqipëria është në një moment delikat, atë të ringritjes. Fitorja me Islandën ishte një shenjë e qartë se kjo Kombëtarë ka forcë dhe se mund të ringrihet.

Duket fillimi i një cikli të ri për kuqezinjtë. Tranzicioni post “Francë 2016” zgjati pak si shumë. Eksperimentet e ish-trajnerit Kristian Panuçi nuk dhanë rezultat, ndërsa Edi Reja, një tjetër italian, por më shumë më tepër përvojë, duket se e ka kuptuar drejt situatën dhe po përpiqet të hedhë hapat një e nga një për rikthimin e kuqezinjve. Po ta vësh re me kujdes, Shqipëria duket se ka nisur një cikël, që bazohet te lojtarët shqiptarë të Shqipërisë. Nga burime jo zyrtare Gazeta Si mëson se nga FSHF-ja ka një orientim të qartë për të ardhmen e Kombëtares, ku lojtarët kosovarë nuk janë prioritet. Për të qenë sa më të qartë dhe për të shmangur keqkuptimet, nuk bëhet fjalë për një tendencë anti-kosovare. Nuk ka qejfmbetje dhe as xhelozi. Kosovarët janë të mirëpritur me fanellën kuqezi, por është logjike të mendohet se në të ardhmen pjesa më e madhe e tyre do të zgjedhin Kosovën. Në këtë kontekst, FSHF-ja duhet të mendojë për një të ardhme sa më të mirë të Kombëtares dhe në këtë drejtim garancia vjen nga lojtarësh shqiptarë.

Kuqezinjtë përshëndesin tifozët pas fitores me Islandën. Gazeta Si, 11 shtator 2019

Nuk ishte aspak rastësi që në ndeshjen me Islandën edhe zgjedhjet teknike të trajnerit Edi Reja ishin në përputhje me këtë “fushatë të heshtur” të FSHF-së. Mavraj, Xhaka dhe Abrashi ishin në stol, kurse Berisha u largua para ndeshjes me pretekstin e dëmtimit. Mavraj, 33 vjeç, mund të jetë në fundin e karrierës dhe situata e fundit që ai po kalon, e justifikojnë uljen e tij në stol, por Berisha 30 vjeç, Abrashi 29 vjeç dhe Xhaka 28 vjeç, kanë ende për t’i dhënë Kombëtares. Megjithatë, ndaj Islandës vetëm Abrashi pati disa minuta si zëvendësues i Hysajt. Kuptohet qartë se tashmë interesi i drejtuesve të Kombëtares janë të tjerë lojtarë, Gjasula, Bare dhe Manaj apo Uzuni, të cilët i shtohen gardës së vjetër të përbërë nga Strakosha, Hysaj, Memushaj, Cikalleshi e Roshi. Të gjithë dhanë maksimumin ndaj Islandës, duke kthyer në memorie Shqipërinë e dikurshme plot grintë.

Roshi në aksion gjatë ndeshjes me Islandën. Gazeta Si, 11 shtator 2019

Sigurisht, vlerësimi është i njëjtë edhe për kosovarët që janë aktualisht pjesë e kuqezinjve, pasi nuk mund ta mohojë askush se ata kanë zgjedhur me zemër. Mund të veçohen rastet e Ismajlit dhe Dermakut, dy kosovarë në moshë të re që kanë zgjedhur Shqipërinë dhe që gëzojnë respekt. Në të ardhmen kosovarët në radhët e kuqezinjve do të jenë gjithmonë e më të paktë. E diktojnë rrethanat dhe FSHF-ja e ka kuptuar me kohë. Herët a vonë, kjo ditë do të vinte. Investimi i saj tashmë janë lojtarët që dalin nga kampionati ynë, apo lojtarë që janë rritur jashtë vendit, por me origjinë shqiptare. Marash Kumbulla dhe Armando Brroja janë dy talente në fokusin e kësaj “fushate” të FSHF-së. Portieri Selmani dhe mbrojtësi Mihaj po ashtu pritet të ingranohen më tepër në skuadër.
Gjithë shqiptarët do të bëjnë tifo për dy Kombëtare, për Shqipërinë dhe për Kosovën. Ndryshimi është se e para për shqiptarët është Shqipëria dhe e para për kosovarët është Kosova.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë