Analize

A ia vlen ndryshimi i emrit të Maqedonisë për hyrjen në NATO?

Maqedoni fqinje ishte padyshim “ylli në rritje” i vitit që lamë pas. Brenda një afati të shkurtër kohor, ajo ia doli të zgjidhte mosmarrëveshjet e gjata me Greqinë, siguroi hyrjen në NATO dhe duket se ka “shtruar” edhe rrugën për hyrjen në BE. Megjithatë, çmimi që Shkupi duhej të paguante për t'u bashkuar me NATO-n për shumë qytetarë ishte shumë i lartë.

U desh shumë guxim dhe vullnet politik në Shkup dhe Athinë për të zgjidhur çështjen e emrit, por nuk janë të paktë kritikët që pyesin nëse duhej ndryshuar identiteti dhe historia e një vendit për anëtarësimin në institucionet perëndimore.

Anëtarësimi i Maqedonisë Veriore në NATO mund të mos duket në pamje të parë si një ngjarje e rëndësishme, por mbyll një shteg të rëndësishëm në atë që dikur ishte oborri i ish-Bashkimit Sovjetik. Ai vjen po ashtu në një kohë kur tensionet Lindje-Perëndim po rriten.

Me anëtarësimin e Shkupit, NATO së shpejti do të ketë 30 anëtarë, gati dyfishin e vendeve që kishte në vitin 1991, kur shumë ekspertë menduan se aleanca do të shpërbëhej,

Hyrja në aleancën Veri-Atlantike garanton një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për Maqedoninë e Veriut, por edhe mbyll një kapitull të gjatë të konfliktesh në Ballkan. Ai i ofron brezit të ri mundësinë për të pasur një jetë më të mirë dhe një të ardhme europiane.
Në një kontekst më të gjerë, hyrja e Shkupit në NATO përmirëson stabilitetin rajonal në kohën kur fantazmat e së kaluarës duket se janë rikthyer për të cenuar sovranitetin territorial të Kosovës.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Jens Stotelberg

Maqedonia ka ushtri modeste dhe PBB-ja e saj vjetore është sa gjysma e një qyteti të pazhvilluar amerikan. Por si Shtetet e Bashkuara ashtu dhe vendet kryesore europiane ndërhynë fuqishëm për ta përafruar vendin fqinj me Perëndimin, duke u përplasur herë pas here me Rusinë.

Në terma krejtësisht ushtarakë apo ekonomikë, vendi fqinj nuk i shton asnjë vlerë bllokut, por në aspektin e interesave aktuale gjeopolitike (ndërhyja e Rusisë dhe Kinës)mesazhi i bashkimit të saj me aleancën ushtarake mund të jetë shumë i vlefshëm.

Për Maqedoninë e Veriut, sot fillon një kapitull i ri. Shkupi përballet ende me shumë pengesa dhe detyra të vështira dhe ka nevojë për reforma në çdo sektor të shoqërisë për të frenuar “ikjen e trurit”. Por nëse Bashkimi Evropian vendos që më në fund të hapë procesin e negociatave me Shkupin në qershor, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, mund të jetë fillimi i një historie të suksesshme në Ballkanin Perëndimor.

Ekspertët thonë se përveç aspektit të sigurisë, pranimi i Shkupit në NATO është gjithashtu i rëndësishëm në nivel diplomatik dhe ekonomik.

"Aleanca garanton integritetin territorial dhe kufijtë tanë. Çdo sulm ndaj vendit tonë do të konsiderohej si një sulm ndaj NATO-s ", thotë analisti ushtarak Nanim Ruzin, i cili shtoi se stabiliteti do të sjelle zhvillim dhe investime për vendin fqinj.

Kryeministri Zoran Zaev dhe Jens Stotelberg

Ismet Ramadani, përfaqësuesi i Maqedonisë së Veriut në Këshillin e Atlantikut të Veriut, thotë se përfitimi më i madh do të jetë në ekonomi, sepse Shkupi do të tërheqë shumë më shumë investime.

"Ne kemi përfituar shumë në aspektin ekonomik, sepse kur kompanitë e mëdha vendosin të investojnë, pyesin shpesh nëse po investojnë në një vend anëtar të NATO-s apo jo, në mënyrë kapitali i tyre është më i sigurt ", tha Ramadani.

Megjithatë, për kritikët, anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut vjen me kosto të mëdha, duke përfshirë përmirësimet e nevojshme për ushtrinë. Ajo gjithashtu do të përfshije vendin fqinj më thellë në mosmarrëveshjen midis Rusisë dhe Perëndimit. Por anëtarësimi në NATO mund të jetë po ashtu një mënyrë efektive për të rritur sovranitetin e Maqedonisë së Veriut, sepse e mbron Shkupin nga ndërhyrja ruse.

Analistët politikë thonë se bashkimi i Maqedonisë se Veriut me aleancën veri-atlantike është një pengesë për presidentin Vladimir Putin, i cili e ka argumentuar prej kohësh se NATO-ja nuk është më e nevojshme, sepse sipas tij, Rusia nuk përbën kërcënim.

Por ndërkohë që Moska po vepron haptazi për të rivendosur ndikimin e saj në sferën ish-sovjetike, një strategji që filloi me aneksimin e Krimesë dhe luftën në Ukrainën lindore, hyrja në NATO është thelbësore për kombe të vogla si Maqedonia fqinje.

"Një nga shpresat kryesore të Putinit ka qenë fragmentarizimi i NATO-s ", thotë Stephen J. Flanagan, analist i lartë politik në Uashington. Ai thotë se aleatët e NATO-s mund të jetë të shqetësuar nga deklaratat e Presidenti Trump, i cili ka akuzuar vazhdimisht vendet e tjera anëtare se nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen ushtarake.

Torrey Taussig, një bashkëpunëtor në Institutin e “Brookings” në Berlin, tha se edhe pse administrata Trump ka dhënë një mbështetje të mirë diplomatike për anëtarësimin e Shkupit, ekspert kanë shumë dyshimet rreth angazhimit të zotit Trump për nenin 5, i cili përcakton se sulmi ndaj një vendi anëtar, është një sulm ndaj gjithë aleancës.

Kay Bailey Hutchison, ambasadori amerikan në NATO, ka thënë se Shtetet e Bashkuara "mbështesin fuqimisht" anëtarësimin në Maqedoninë Veriore dhe 2.1 milion qytetarëve të saj.

Përveç kësaj, Kongresi dhe Pentagoni mbeten të përkushtuar ndaj aleancës. Vetëm muajin e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve kaloi me forcë një vendim për të ndaluar administratën Trump nga përdorimi i fondeve federale për të nxjerrë Shtetet e Bashkuara jashtë NATO-s, duke e qortuar presidentin për sulmet e tij të shpeshta kundër aleancës.

Përpjekjet e Rusisë për të mbjellë mosmarrëveshje kanë qenë të dukshme në Ballkan. Ajo u akuzua për përpjekjen për të përmbysur qeverinë e Malit të Zi në tetor të vitit 2016, në një përpjekje të fundit për të ndaluar hyrjen në NATO.

Në gusht, Greqia akuzoi Rusinë për ndërhyrje në politikat e saj të brendshme për të penguar ratifikimin e marrëveshjes së Prespës nga parlamentin grek, në mënyrë që Shkupi mos ta kishte kaq të lehtë anëtarësimin në NATO. Athina, e cila historikisht ka patur marrëdhënie të përzemërta me Rusinë për shkak të kishave ortodokse, dëboi katër diplomatë rusë.

Pak pas nënshkrimit të protokollit të pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Konstantin Kosachev, paralajmëroi se Perëndimi po e përdorte Shkupin si një “marionetë” kundër Moskës, duke e akuzuar aleancën se i kishte bërë presion të pashembullt politik vendin fqinj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë