Futboll

A i meriton Lukaku 83 mln euro?! Interi kthen sytë nga Kavani

Kërkesat e larta ekonomike të Mançester Junajtid për sulmuesin belg, Romelu Lukaku, kanë bërë që klubi zikaltër të vlerësojë hipotezën e sulmuesit të PSG-së, Edinson Kavani. Një sulmues qendre i duhet patjetër Interit dhe në këtë moment duhet vepruar me shpejtësi, por edhe me kujdes.

Trajneri Antonio Konte pëlqen Lukakun, për të cilin Mançesteri kërkon 83 milionë euro, por Interi nuk mundet dhe nuk dëshiron ta japë më shumë se 65 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset. Një qëndrim që vjen për faktin se Marota dhe bashkëpunëtorët e tij nuk e vlerësojnë aq shumë kartonin e sulmuesit belg. Lukaku vazhdon të mendojë largimin nga Mançesteri dhe mungoi në miqësoren e parë në Kinë për shkak të një problemi në kavilje, por “Djajtë e kuq” nuk i ulin pretendimet e tyre financiare. Interi ka bërë një hap prapa dhe sipas “Corriere dello Sport”, tani ka dalë në skenë edhe alternativa e një lojtari të njohur në Serinë A, Edinson Kavanit.

Edinson Kavani, sulmuesi i PSG-së

“Matadori”, 32 vjeç, ka një kontratë me PSG-në, që i skadon vitin e ardhshëm, ndaj dhe Marota shpreson ta marrë këtë sulmues me një çmim të arsyeshëm, edhe pse bisedimet për këtë transferim janë jo pak të komplikuara. Çështja më e rëndësishme për t’u zgjidhur është ajo e rrogës së uruguaianit: Kavani paguhet 12 milionë euro në sezon në Paris, kurse zikaltrit mund të ofrojnë deri në 9 milionë euro.

Mes alternativave për sulmin është edhe ajo e Duvan Zapatës, për të cilin Atalanta kërkon 60 milionë euro. Një shumë e konsideruar e lartë nga Interi, megjithatë kjo pistë mbetet ende e hapur. Rafael Leao, lojtari i ri i Lilës, është gjithashtu në fokusin e Interit dhe kjo është një pistë më e thjeshtë, sepse kushton 40 milionë euro. E gjitha kjo ndodh në një situatë, ku Interi pret të zhbllokohet tratativa me Romën për Edin Xhekon. Shumë shpejt pritet të ketë zhvillime për sulmuesin boshnjak, nëse Higuain pranon të veshë fanellën e Romës sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë