Muzike

A është shitur Festivali i Këngës? Zhani Ciko: Ka paragjykime, këngën në Eurovizion e çon vota e publikut

Nga Gazeta 'Si'-Edhe pak ditë na ndajnë nga Festivali i 62-të i Këngës, i cili do të mbahet nga data 19 deri më 22 dhjetor kur pritet edhe nata finale.

Votimi do të jetë i njëjtë me vitin e kaluar: Publiku do të vendosë përmes televotimit se kush do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2024 dhe juria do të përzgjedhë fituesin e festivalit dhe çmimet e tjera.

Këtë vit problemet dhe polemikat kanë nisur që para startimit të festivalit, pasi tre këngëtarë Samanta Karavella, Kejsi Tola dhe Sardi Strugaj hoqën dorë nga gara, duke bojkotuar kështu eventin më të madh muzikor.

Ndërkohë të shumta janë komentet dhe kritikat në rrjetet sociale që ky kompeticion është i shitur dhe se fituesi është paracaktuar.

Maestro Zhani Ciko, një njohës i mirë i festivalit të këngës dhe pjesë e jurisë në shumë edicione thotë për Gazetasi.al se ka një trajtim shumë paragjykues të Festivalit, kryesisht në rrjetet sociale.

Maestro Zhani Ciko, një njohës i mirë i festivalit të këngës dhe pjesë e jurisë në shumë edicione

Sa i përket përcaktimit të fituesit për Eurovizion, maestro Ciko ngre pyetjen “Çfarë urgjence ka që kjo të ketë ndodhur?”

“A ka ndonjë provë se kjo ka ndodhur? Sivjet drejtues artistik është Bojken Lako, një artist që me sa e njoh nuk është konformist, përkundrazi promovues i risive muzikore që në daljen e parë në skenë. Dhe muzikantët e tjerë janë me përvojë. Kam besim se për produktin muzikor ata janë shumë seriozë dhe e ruajnë emrin e tyre profesional. Si është e mundur që kur kënga për Eurosong që do dalë nga vota e publikut, qenka vendosur që tani.  Kjo është pa baza, nëse do ta zgjidhte juria përfaqësuesin në Eurovizion, mund të spekulohet se është e paracaktuar me urdhër, por në këtë rast është publiku që vendos”, shprehet për Gazetasi.al kompozitori Zhani Ciko.

Sipas maestro Zhani Cikos, vitet e fundit ka pasur shumë akuza mbi juritë e komisionet që kënga caktohet që përpara, ndaj dhe vota popullore sheshon të gjitha kontestimet e polemikat.

“Ka pasur kontestime, ndaj vjet u mendua që të ndahet në mënyrë që të bazohet në shijen e popullit”, thotë Ciko, ndërsa shton se “nga ana profesionale është apo jo kjo zgjidhja më e mirë, ka nevojë për diskutime, por në kushtet kur gjithkush akuzohet dhe vazhdimisht kjo punë ka pasur polemika, kjo ishte zgjidhja më e mirë, që këngën në Eurovizion ta çojë vota popullore. Vjet juria zgjodhi këngë tjetër, ndërsa publiku tjetër”.

Drejtori artistik, Bojken Lako, është shprehur më herët se këtë vit procesi i përzgjedhjes ka ardhur me risi.

“Këtë vit këngët janë dëgjuar me numra, jo me emra autorësh, kompozitorësh dhe krijuesish që votimi të ishte sa më i drejtë dhe sa më i pandikueshëm”.

Drejtori Lako ka theksuar se rrymat muzikore pjesëmarrëse janë nga më të larmishmet, por pa i ikur tabanit shqiptar.

Sipas këngëtares Samanta Karavello, kënga ka qenë tepër ritmike dhe për këtë arsye nuk i është lejuar performanca.

“E vërteta është që nuk m’u lejua performanca, dhe unë nuk mund ta këndoja atë këngë ritmike pa performancë. Këto ishin kriteret e festivalit këtë vit. Nuk iu lejua askujt”, do të shprehej këngëtarja.

Maestro Zhani Ciko thotë se tërheqja e këngëtarëve lidhet me pikësynimin e tyre për të shkuar në Eurovizion.

“Ata këngëtarë janë tërhequr sepse kanë hyrë me pikësynimin që të shkojnë në Eurovizion. Ndoshta kanë parë konkurrencën dhe kanë kuptuar që kënga e tyre nuk është në atë nivel. Secili nga këngëtarët, duhet të ketë kushte të barabarta për provat dhe kjo besoj që u është siguruar”.

Maestro Ciko uron që festivali i këtij viti të jetë në nivelin e duhur dhe në pritshmëritë e të gjithëve.

“A do ketë këngë të denja festivali, a do jetë në rritje nga e kaluara, a do jenë komponentët e tjerë në rolin përkatës etj, etj do t’i shohim gjatë netëve përkatëse. Mendoj se interesimi i dashamirësve të këngës së re shqiptare është i drejtë”.

Në edicionin e 62-të të këngës duket se gara do të jetë e fortë, me emra si Elsa Lila, (e cila vjet mori çmimin e parë nga juria), Shpat Deda, Big Basta dhe Vesa Luma, Besa Kokëdhima, etj që do të garojnë për çmimin e parë.

Në Festivalin e 62 të Këngës në RTSH marrin pjesën 31 këngëtarë, mes tyre 17 debutantë. Gjethja e logos së FEST 62, simbolizon një kauzë e cila mbrohet për herë të parë nga një event i tillë. Ky festival këtë vit ka vendosur të mbrojë një kauzë të rëndësishme që është Raise Awarenes for Climate Change (Rritja e Ndërgjegjësimit Publik për Ndryshimin Klimaterik).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë