Jete & Stil

A është i vërtetë miti se grave që jetojnë (dhe qëndrojnë) bashkë u sinkronizohen periodat

Grave u është thënë prej kohësh se të jetuarit ose shoqërimi me njëra-tjetrën për një periudhë të gjatë kohore mund të bëjë që t’u sinkronizohet cikli menstrual.

Por gjinekologët po tentojnë ta rrëzojnë këtë mit, duke e cilësuar si “një përrallë që nuk ka baza shkencore”.

Dr Jen Gunter, gjinekologe e quajti besimin mitin më të madh, duke thënë se para së gjithash, është studiuar, kështu që “ne e dimë se nuk ndodh. Ne kemi studime të bazuar në prova për të treguar se nuk është e vërtetë.”

Megjithatë, shumë njerëz pajtohen me mitin, duke e cilësuar si një të vërtetë.

Dr Charis Chambers, obstetër-gjinekologe tha se në besimin e këtij miti përfshihet edhe psikologjia.

“Truri ynë ka më shumë gjasa të kujtojë kohët kur sinkronizohet cikli dhe të anashkalojë muajt kur nuk ndodh kjo”, thotë Chambers.

Miti i ka rrënjët në një punim të vitit 1971 në revistën Nature, në të cilën psikologia e Universitetit të Harvardit Martha McClintock arriti në përfundimin se gratë që jetojnë ose punojnë ngushtë së bashku u sinkronizohen periodat.

Psikologia u kërkoi 135 studenteve që jetonin bashkë që të shënonin fillimin dhe mbarimin e periodave për tri herë gjatë gjithë vitit shkollor.

Ajo zbuloi se grupet e mikeshave të ngushta prireshin që të kishin cikël të sinkronizuar me kalimin e kohës.

Megjithatë, që atëherë, gjinekologët kanë grumbulluar një numër të madh kërkimesh shkencore që e hedhin poshtë këtë teori.

Përveçse është krejtësisht i rremë, Dr Gunter thotë se miti ka dhe pikëpamje mizogjene.

“I pozicionon gratë si persona që nuk kanë kontroll mbi trupin e tyre, se preken nga shumica”.

Cikli menstrual ndodh çdo 28 ditë, por mund të ndryshojë nga 21 ditë në 35 ditë dhe periodat mund të zgjasin diku nga dy deri në shtatë ditë.

Çdo grua është e ndryshme dhe faktorë të ndryshëm mund të ndikojnë në një cikël menstrual, duke përfshirë shtimin në peshë dhe humbjen drastike të peshës, ndryshimet në nivelet e estrogjenit, stresin, sëmundjet kronike, përdorimin e drogës dhe sindromën e vezores policistike (PCOS).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë