Kosova

A është Beogradi aq i bukur sa kur ishim studentë? / Jovanoviç takon Kurtin: Nuk duhet të heshtim për Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’-Kryetari i Partisë Liberal Demokratike të Serbisë, Çedomir Jovanoviç, ka udhëtuar ditën e djeshme në Prishtinë ku ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Kurtin e njoh prej 30 vitesh, ai dhe unë kemi kaluar shumë në jetën tonë dhe pas këtyre bisedave besoj se gjaku i derdhur në Banjskë është gjaku i fundit i derdhur në konfliktin mes popullit serb dhe shqiptar në Kosovë…”, ka thënë Jovanoviç në një postim në rrjetin social X.

Ai gjithashtu citohet të ketë thënë se “nuk duhet të heshtim për Kosovën”.

“Ne kemi zgjedhje së shpejti dhe Serbia po ngec nën barrën e Kosovës. Duhet thënë e vërteta dhe duhet marrë një rrugë tjetër. Të gjithë e dini se kam thënë të vërtetën shumë kohë më parë, më shumë se 20 vjet më parë, dhe për këtë jam cilësuar si tradhtar. Sot, shumë njerëz e kuptojnë se unë bëra atë që duhej të bëja, sepse e dua popullin tim dhe e di që nuk mund t’i dua dhe t’u uroj mirë serbëve pa pasur forcën t’i dua shqiptarët e Kosovës dhe të përpiqem t’i kuptoj ata”, tha ai dhe shtoi se sot “ai gjithashtu beson në shoqërinë serbe dhe aftësinë e saj për të mbështetur ndryshimet politike që i nevojiten në mënyrë që të gjithë në Kosovë të gjejnë qetësinë e tyre, dhe ne të drejtën për një fillim të ri.”

Nga biseda e zhvilluar, ai ka treguar edhe për një pyetje që i ka bërë Kurti.

-A është Beogradi aq interesant dhe i bukur sa kur ishim studentë?

-Edhe më interesant dhe më i bukur shumë… si Prishtina,- i është përgjigjur Jovanoviç.

Për këtë takim ka njoftuar edhe zyra për shtyp e Kurtit.

”Ata biseduan rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe Serbi dhe raportet ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu folën për nevojën e fuqizimit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e demokratizimit të shoqërive dhe institucioneve, pluralizmit politik, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare si garant të paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë