“Arena Kombëtare”, me këtë emër është pagëzuar stadiumi i ri që po ndërtohet në Tiranë, pas shembjes së “Qemal Stafës”. Prej gati dy vitesh mes polemikash dhe pikëpyetjesh të shumta vijon ndërtimi i stadiumit bashkë me kullën e tij. Me financim nga qeveria shqiptare, Federata e Futbollit dhe UEFA, ky impiant do të jetë i pari dhe i vetmi i niveleve ndërkombëtare në vendin tonë. Kur punimet në stadium janë duke iu drejtuar fundit të tyre dhe stadiumi ka filluar të marrë formë pasi po vendoset edhe shtresa mbuluese, në horizont duket se po shfaqet një pengesë serioze.
Nuk bëhet fjalë për ndonjë dyshim apo spekulim të pabazuar, por është një njoftim zyrtar i FSHF që ngre këtë alarm. Në një deklaratë të shpërndarë për mediet, me titull, “Përfundimi i stadiumit 'Arena Kombëtare' në pikëpyetje”, FSHF shkruan se puna për ndërtimin e impiantit të ri rrezikon që të pezullohet.
“Nga Ministria e Financave vjen një lajm tjetër: Komisioni i Apelit refuzon të rimbursojë TVSH-në për pjesën e investimit të kryer nga FSHF në stadiumin “Arena Kombëtare”. Kjo do të thotë që këtij investimi i mungojnë afërsisht 2 milionë euro dhe se praktikisht përfundimi i punimeve të stadiumit vihet seriozisht në pikëpyetje,” shkruhet në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Duke u ndalur në një shpjegim të detajuar të situatës, FSHF citon edhe një vendim të Këshillit të Ministrave, por sqaron se këtë gjë nuk e bën për Komisionin e Apelit, por për disa “tifozë ultras” që e kuptojnë procedurën ligjore.
“Në bazë të VKM Nr.953, datë 29/12/2014, neni 5, pika 5, Qendra Sportive Kuq e Zi, ka bërë deklarimet kronologjike në librat e blerjes dhe shitjes të TVSH-së, duke konsideruar dhe deklaruar se qiradhënia e ardhshme do të jetë e tatueshme. Këtë shpjegim nuk po e bëjmë për Komisionin e Apelit që sillet si një grup “tifozësh ultras”, por për ata që e dinë dhe e kuptojnë këtë procedurë ligjore”, sqaron FSHF.
Më tej FSHF nuk i kursen akuzat dhe ironinë kundrejt politikanëve dhe njerëzve të pushtetshëm, të cilët sipas janë ende të hidhëruar për suksesin historik që kombëtarja shqiptare arriti dy vite më parë.
“Gjithsesi FSHF do t’i drejtohet Gjykatës, për këtë çështje, por është për të ardhur keq se si një grup burokratësh të shtetit dhe të politikës, ende nuk ju ka dalë mërzia, që Shqipëria u kualifikua në “EURO 2016”, dhe janë akoma më të mërzitur që Tirana po bëhet me një stadium modern!”- vijohet më tej në njoftimin e qeverisë së futbollit shqiptar.
Por kush janë “tifozët ultras”, burokratët e shtetit dhe politikanët, që FSHF ka shigjetuar me këtë deklaratë, duke i bërë ata përgjegjes për rrezikun e bllokimit të punimeve në kantierin e “Arena Kombëtare”?
Përplasja Erion Braçe – Armando Duka
Përplasja Duka-Braçe, po duket gjithmonë e më shumë si një “betejë” që sa vjen dhe ashpërsohet dhe që premton zhvillime "interesante" në ditët e ardhshme. Akuzat dhe kundërakuzat mes deputetit të Partisë Socialiste dhe kreut të FSHF, Armando Duka, janë të hershme.
I pari është një tifoz i “flaktë” i Partizanit dhe nuk humbet asnjë ndeshje të këtij ekipi. Braçe gjithmonë e ka akuzuar kreun e qeverisë së futbollit shqiptar se ishte ai, që rrëzoi klubin kryeqytetas nga kategoria, rreth 9 vite më parë. Por duket se Partizani ka shërbyer vetëm si zanafilla e kësaj përplasje që sa më shumë kohë kalon, merr përmasa edhe më të gjera. Braçe ishte i pari që foli për një sistem korruptiv që e kishte ngritur Skënderbeu me ndihmën e presidentit të FSHF, Duka. Manipulim ndeshjesh dhe fshehje të të ardhurave ndaj organeve tatimore, janë këto dy akuzat më të forta që Braçe ka artikuluar ku ka mundur, kundër Armando Dukës. Nga ky i fundit gjithmonë ka pasur një reagim të tërthortë, me anë të deklaratave dykuptimshme, por edhe me anë të dënimeve disiplinore, duke shfrytëzuar rastet kur deputeti dilte nga vetja me veprimet që bënte në shkallët e stadiumit.
Para disa javësh Braçe ishte iniciator i një interpelance me Ministrin e Financave Arben Ahmetaj, për t’i kërkuar atij llogari për tolerimet që ia janë bërë FSHF-së në drejtim të vjeljes së detyrimeve tatimore. Nuk është se mori ndonjë përgjigje shteruese, por kjo nuk e ndaloi që edhe nga foltorja e Parlamentit, deputeti socialist të vijonte me akuzat e tij.
Njoftimi më i fundit, i shpërndarë nga FSHF pasditen e së shtunës, duket të jetë kapitulli i ri i betejës mes Armando Dukës dhe Erion Braçes. Edhe pse nuk ka etiketim të drejtpërdrejtë, nga fjalori i përdorur në njoftim dhe krahasimet, të bëjnë të mendosh se “shigjeta” drejtohet për te deputeti socialist. Deri më tani akuzat dhe kundërakuzat mes të dyve kanë mbetur vetëm në sinkrone kronikash, apo statuse të rrjeteve sociale. Por këtë herë çështja është pak më e madhe, pasi bëhet fjalë për stadiumin kombëtar të Shqipërisë.
Përveç fondeve të UEFA-s dhe FSHF-së, ky impiant është ngritur edhe me mbështetjen shumë aktive të kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit në gjithë këtë përplasje që vijon prej vitesh ka qëndruar në heshtje. Numri një i qeverisë nuk u përfshi edhe kur përballë Armando Dukës garoi deputeti socialist, Bashkim Fino. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i Ramës për këtë çështje, ku në lojë është një nga krenaritë e tij si kryeministër, stadiumi “Arena Kombëtare”. Ardit Hoxha
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.