Politike

A e cenon sigurinë protesta e 6 dhjetorit? Meta: Është manifestim pro-europian, PL do të jetë aty  

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, njoftoi këtë të martë se forca politike që ai përfaqëson do t’i bashkohet protestës të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 6 dhjetor, ditën që do të mbahet në Tiranë samiti mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Meta tha se protesta në bulevardin  “Dëshmorët e Kombit” nuk përbën cenim për perimetrin e sigurisë së samitit. Sipas Metës, “në 6 dhjetor ne do jemi të gjithë për të brohoritur dhe një herë tjetër që do e bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”.

“Siguria në Shqipëri është gjithmonë nën kërcënimin e mafias në pushtet dhe kurrësesi të qytetarëve të lirë të saj.

Së dyti nuk është njoftuar protestë ndaj kryetarit të bashkisë pasi bileta e tij është pa kthim më 14 maj, por është njoftuar një manifestim pro europian që gjithë Shqipëria kërkon të japë një mesazh mirënjohjeje për vendimin, e ritheksoj edhe njëherë vendimin strategjik të BE-së për të nxitur vendet e Ballkanit Perëndimor drejt rrugës evropiane.

Në Shqipëri nuk duhet të ketë asgjë më të rëndësishme se Kushtetuta dhe mbi Kushtetutën është vetëm populli.

Ne e kemi bërë të qartë që dhjetori është muaji i demokracisë dhe qytetarët e kanë vetë thirrjen nga brenda.

Do të jetë një manifestim pro-europian që kërkon t’i japë fund kapjes së shtetit”, tha Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë