Kosova

A do të goditet tregu i punës gjatë vitit të parë të liberalizimit të vizave?

Nga 1 janari qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen. Por me heqjen e vizave shumë biznese kanë shprehur shqetësimin e tyre se mund të përballen me mungesë të punëtorëve.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha shprehet se liberalizimi i vizave do të ketë ndikim në ekonomi, por situata do të jetë e njëjtë ashtu siç ka ndodhur me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit pas heqjes së vizave.

“Çfarë impakti do të ketë për ekonominë? Besoj se nuk do të jetë ndryshe nga vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi që e kanë kaluar këtë proces. Fillimisht, do të kemi një fluks të punëkërkuesve që do të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian. Ne e dimë që Gjermania procesin e dhënies së lejes së punës e ka thjeshtëzuar shumë edhe do të ketë ndoshta një krizë më të thellë afatshkurtër”, u shpreh ai.

Megjithatë, Panxha thotë se në periudhë afatgjate çdo gjë do të stabilizohet.

“Besoj që sektori privat ka filluar të reflektojë edhe po reflekton se po i ngrenë pagat. Po ofrojnë kushte më të mira për punëtorët, se në fund të ditës ne duhet të jemi më atraktivë, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për punëtorët që punojnë në Kosovë. Pra, ata duhet të jenë të kënaqur, të kenë një kualitet të jetës më të mirë edhe të kenë një standard jetese për të mos pasur nevojë pastaj të shkojnë në Gjermani”, tha ndër tjera ai.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve u shpreh se beson që një pjesë e atyre qytetarëve që kanë shkuar në Gjermani për të punuar, ndoshta do të kthehen sepse nuk do të jetë ashtu siç kanë pritur.

Duke folur për gjendjen e ekonomisë në Kosovë, Panxha thotë se vendi nuk mund të krahasohet me vendet e Evropës sa i përket zhvillimit, por me vendet e rajonit.

“Nuk mund të krahasohemi me Gjermaninë, se e dimë çfarë zhvillimi ekonomik ka Gjermania, po ne mund të krahasohemi me vendet e rajonit dhe të themi që Kosova ofron këto kushte dhe benefite për njerëzit që punojnë në Kosovë. Zakonisht, në vendet e rajonit, viti i parë ka qenë më shqetësues, sepse ka pasur një destabilizim të tregut, por në periudhë afatgjatë kjo stabilizohet”, pohoi mes të tjerash ai.

Sa i përket ardhjes së punëtorëve të huaj në Kosovë, kryesisht nga vendet aziatike, Panxha konsideron se ky trend do të vazhdojë.

“Unë besoj që ky trend do të rritet se këtë boshllëk që e ka krijuar mungesa e punëtorëve, do të zëvendësohet me dikë. Aktualisht kemi shumë kompani që janë duke sjellë punëtorë nga Filipinet, Bangladeshi edhe vendet aziatike”, thotë Panxha. /Telegrafi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë