Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para nisjes së seancës solemne në nder të akademikut Rexhep Qosja, u pyet për qëndrimin e tij lidhur me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës që Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente.
Ai, zgjodhi të mos përgjigjet.
Edhe vetë Osmani shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë. Teksa po shkonte për homazhe pranë Monumentit të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës, ajo u pyet nga gazetarët nëse do të ishte kandidatja e LDK-së për presidente, por nuk dha koment.
Lëvizja e fundit e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ofron Kurtit një kompromis të ri për postin e presidentit. Ky propozim përfshin mundësinë që Osmani të rikthehet si emri i LDK-së për këtë post, me kusht që LVV të sigurojë mbështetjen prej 66 votash në Kuvend.
Ndërkohë, gjatë së shtunës, Kurti u ka bërë thirrje partive opozitare që të propozojnë figura jashtë politikës aktive, me profil unifikues, integritet të lartë qytetar e kombëtar dhe kontribut të dëshmuar profesional e shoqëror. Mbetet e paqartë nëse Osmani përputhet me këto kritere të artikuluara prej tij.
Osmani, aktualisht pa përkatësi partiake, vazhdon të përmendet në skenën politike mes spekulimeve për një rikthim të mundshëm në LDK, sidomos pas përfundimit të mandatit të saj presidencial.
Raportet mes saj dhe Kurtit nuk janë sqaruar kurrë plotësisht në publik. Të dy kanë shmangur komentet e drejtpërdrejta për dallimet mes tyre, ndërsa tensionet kanë mbetur kryesisht të nënkuptuara.
Në një rast, gjatë shpërndarjes së Kuvendit, Osmani deklaroi se vendi ishte sjellë në atë pikë nga “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”, pa përmendur emra. Kurti reagoi duke thënë se nuk e dinte nëse kjo deklaratë i drejtohej atij, pasi nuk ishte përmendur konkretisht.
Megjithatë, Osmani nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me asnjë forcë politike në të ardhmen, përfshirë edhe LVV-në.
Sipas njohësve të zhvillimeve politike, përplasjet mes Osmanit dhe Kurtit lidhen kryesisht me qasjet e ndryshme ndaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mungesën e koordinimit institucional dhe rivalitetin për ndikim në skenën politike vendore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje