Ngjarje

Shqipëria i mbyll derën koronavirusit italian

Mbyllja e kufijve nuk është masë e këshilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, megjithatë, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë, Qeveria ka vendosur që të kufizojë qarkullimin e personave me zonat më të prekura nga virusi në Italinë e Veriut.

Masa të ngjashme kanë marrë edhe vetë autoritetet italiane dhe vende të tjera të Europës, kur virusi shpërtheu fillimisht në Kinë, duke kufizuar, madje edhe ndërprerë plotësisht fluturimet direkte me vendin aziatik.

Në kuadër të kësaj mase, Shqipëria ka ndërprerë fluturimet hyrëse dhe dalëse nga aeroporti “Nënë Tereza” me dhjetë aeroporte të Italisë, që ndodhen në zonat gjeografike të vendosura nën karantinë nga autoritetet italiane, ose që kanë regjistruar numër relativisht të lartë me të prekur me koronavirus.

Autoriteti i Aviacionit Civil tha se fill pas vendimit të Qeverisë njoftoi “Albcontrol” për nxjerrjen e njoftimeve të nevojshme për zbatimin e urdhrit t ëkufizimeve.

Masa parandaluese ka marrë edhe Drejtoria e Përgjithshme Detare, që ka ndërprerë lundrimet me dy portet italiane, atë të Ankonës dhe të Triestes.

Drejtoria e Përgjithshme Detare thotë se ndalohen të gjithë lëvizjet me mjetet e transportit detar të pasagjerëve dhe/ose mjeteve në Linjën Durrës-Ankona- Durrës dhe Durrës-Trieste-Durrës. Po ashtu, të gjitha mjetet e transportit detar që kanë destinacion tranzit portet shqiptare nuk do t’u lejohet zbritja e ekuipazhit nga anija.

Ndërkohë, në Portin e Vlorës puna ka vijuar normalisht edhe pas konfirmimit të dy rasteve me koronavirus. Gazeta “Si” mëson se është vënë re një tkurrje e pazakontë për periudhën e numrit të pasagjerëve që udhëtojnë në drejtim të Italisë, ndërkohë që nga Italia në Vlorë, këtë të hënë nuk ka patur traget.

Autoritetet thonë se kanë marrë masat duke dezinfektuar ambientet e portit në fjalë, ndërsa deri më tani mbetet në fuqi vendimi për vijimin e punës normalisht pa kufizime në itineraret Vlorë-Bari dhe Vlorë-Brindisi, dy zona të pagoditura fort nga koronavirusi në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë