Lajme

Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare: Luftë trafikut të drogës dhe krimit të organizuar

Pasditen e të mërkurës, Presidenti Ilir Meta ka mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku morën pjesë edhe Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Në fjalën e tij, Presidenti Ilir Meta theksoi rëndësinë e domosdoshmërisë strategjike për luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe forcimit të kontrollit të kufijve dhe shprehu mbështetjen e plotë ndaj agjencive ligjzbatuese për thellimin e luftës pa kompromis kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

“Presidenti Meta nënvizoi se raportet e Departamentit të Shtetit, Bashkimit Evropian dhe agjencive partnere të specializuara për këto çështje të rëndësishme, janë një platformë solide për të reflektuar dhe për të ndërtuar një partneritet të besueshëm, të qendrueshëm dhe afatgjatë për forcimin e sigurisë kombëtare dhe antarësimin në Bashkimin Evropian, – pasqyron Presidenca.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka diskutuar për gjendjen e sigurisë kombëtare dhe direktivën vjetore të sigurisë së Shqipërisë për vitin 2018, për te cilën ka informuar  Kryeministri Edi Rama.

Në njoftimin e Presidencës thuhet së anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare informuan për kontrollin dhe menaxhimin e integruar të kufijve, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe emigracionit të paligjshëm; emergjencat civile; sigurinë e infrastrukturave strategjike portuale dhe aeroportuale dhe mbrojtjen kibernetike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë