Në prag të samitit të Partive Popullore Evropiane, Basha u takua me Presidentin e PPE, Joseph Daul, të cilit i konfirmoi qëndrimin e opozitës pro hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE.
“Nëse nuk hapen negociatat ndëshkohet Shqipëria dhe shqiptarët që presin dhe meritojnë standarde europiane. Moshapja e negociatave do të ndihmonte krimin dhe politikanët që kanë tradhëtuar interesat e Shqipërisë dhe shqiptarëve duke bashkëpunuar me krimin për pushtetin dhe pasurimin e tyre” – tha Basha në takim me Daul.
“Me hapjen e negociatave, Bashkimi Europian do të shtojë asistencën që vendi ynë të luftojë kapjen e shtetit, krimin e organizuar, korrupsionin, të ndihmojë në sundimin e shtetit të së drejtës, përfshirë edhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme” – u shpreh më tej Basha.
Në një postim në rrjetin Twitter, Daul shprehet se në takimin me Bashën ka diskutuar marrëdhëniet aktuale BE-Shqipëri dhe domosdoshmërinë për të vazhduar dhe zbatuar reformat. “Theksova rëndësinë që ka pavarësia e sistemit të drejtësisë, lufta kundër krimit dhe sundimi i ligjit”- ka shkruar Daul.
“Presidenti i PPE, Joseph Daul garantoi Kryetarin e Partisë Demokratike për mbështetjen dhe ndihmën e Partisë Popullore Europiane për shpalosjen e vizionit dhe planit të demokratëve për çlirimin e shtetit nga kapja e krimit të organizuar, për shkëputjen e lidhjeve të politikës me krimin, luftën kundër korrupsionit, për rritjen ekonomike dhe rikthimin e shpresës në vend” – thuhet në deklaratën e PD.
Sot zhvillohet samiti i PPE për Ballkanin Perëndimor, ku marrin pjesë edhe edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri i Austrisë Sebastian Kurtz, kryeministri i Hungarisë Viktor Orban, Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker, Presidenti i Parlamentit Europian Antonio Tajani, Presidenti i Këshillit të Europës Donald Tusk dhe drejtuesit më të lartë të Bashkimit Europian, përfaqësues të partive të qendrës së djathtë europiane.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.