Menaxhim

Shëndetësia digjitale në Evropë- Investimet rriten, por pacientët ende nuk përfitojnë sa duhet

Evropa po investon gjithnjë e më shumë në dixhitalizimin e shëndetësisë, nga inteligjenca artificiale në diagnostikim deri te dosjet elektronike mjekësore. Megjithatë, pavarësisht miliarda eurove të investuara, qasja e pacientëve në këto shërbime mbetet e pabarabartë.

Një raport i ri i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Komisionit Evropian evidenton një hendek mes zhvillimit të teknologjisë dhe përdorimit të saj në praktikën e përditshme mjekësore.

Sipas raportit, BE-ja ka investuar të paktën 16 miliardë euro për dixhitalizimin e kujdesit shëndetësor. Megjithatë, investimet nuk kanë sjellë të njëjtin përparim në të gjitha vendet.

Holanda kryeson për investimet në asetet dixhitale në shëndetësi, me 39,2%, e ndjekur nga Austria me 28,8% dhe Portugalia me 24,1%. Në fund të listës renditen Letonia, Sllovakia dhe Luksemburgu.

Vetëm një pjesë e qytetarëve përdor dosjet elektronike

Edhe pse sistemet elektronike shëndetësore po zgjerohen, përdorimi i tyre nga qytetarët mbetet i kufizuar.

Në vitin 2024, vetëm 28% e evropianëve të moshës 16-74 vjeç kishin aksesuar të dhënat e tyre shëndetësore në internet. Dallimet mes vendeve janë të mëdha: nga vetëm 5% në Gjermani, në 74% në Finlandë.

Edhe mosha ndikon në përdorimin e këtyre shërbimeve. Vetëm 19% e personave të moshës 65-74 vjeç kishin aksesuar të dhënat e tyre shëndetësore online, kundrejt 31% të grupmoshës 25-64 vjeç.

Inteligjenca artificiale, përparim me sfida

Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë në diagnostikimin mjekësor, veçanërisht në analizimin e imazheve diagnostikuese, si dhe në automatizimin e proceseve administrative.

Megjithatë, raporti paralajmëron se mungojnë strategjitë kombëtare dhe përgatitja e duhur e personelit shëndetësor. Vetëm pesë nga 24 vendet e anketuara kanë strategji të posaçme për përdorimin e IA-së në shëndetësi.

Ekspertët theksojnë se mjekët duhet të trajnohen për të interpretuar rezultatet e inteligjencës artificiale dhe për të kuptuar kufizimet e saj, ndërsa teknologjitë e reja duhet të vlerësohen vazhdimisht për sigurinë dhe efektivitetin.

Sipas OECD-së, investimi në teknologji nuk mjafton nëse ajo nuk përkthehet në përmirësim konkret të kujdesit për pacientët.

Sfida e Evropës tashmë nuk është vetëm të zhvillojë shëndetësinë digjitale, por të sigurojë që këto përparime të jenë të qasshme, të sigurta dhe realisht të dobishme për të gjithë qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë