Njerez

Dy shqiptarë kapen duke grabitur shtëpinë e princit William, mbretit të ardhshëm të Britanisë

Dy shqiptarë dyshohet se janë personat e arrestuar pas një incidenti në vilën e Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk të Britanisë së Madhe.

Sipas artikullit të The Sun, ata dyshohet se kanë hyrë në pronën mbretërore Anmer Hall, që ndodhet në kompleksin e Sandringham Estate.

Njëri prej tyre raportohet se ishte emigrant i paligjshëm në Britani, i cili kishte paraqitur më parë një kërkesë për azil, të cilës tashmë i kishte përfunduar afati. Ndërsa për statusin e personit tjetër nuk janë dhënë detaje.

Ngjarja u regjistrua në mbrëmje të 23 nëntor, kur policia u njoftua për aktivitet të dyshimtë në pronë, rreth orës 18:00.

Në operacionin e kërkimit u angazhuan efektivë policie, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare britanike.

Dy burrat u arrestuan në territorin e pronës mbretërore, nën dyshimin për vjedhje dhe hyrje të paligjshme. Ata vijojnë të mbahen në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen janë në vazhdim.

Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit prona ishte e pabanuar. Princ William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën e tyre në Windsor.

Anmer Hall është një rezidencë, e cila iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Prona përdoret nga familja mbretërore kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë