Analize

Anthropic thyen rekordin prej 81 miliardë dollarësh- A është kjo dëshmi e besimit te AI?

Oferta publike fillestare (IPO) e Anthropic, kompania që qëndron pas chatbot-it Claude, ka shënuar një rekord historik, duke siguruar 81 miliardë dollarë amerikanë përmes listimit në bursën Nasdaq. Ky rezultat tejkalon rekordin e mëparshëm prej 75 miliardë dollarësh, të vendosur nga SpaceX më herët gjatë këtij viti, dhe ngre pyetje mbi të ardhmen e investimeve në inteligjencën artificiale (AI).

A përfaqëson ky debutim një votëbesimi të investitorëve ndaj gjithë industrisë së inteligjencës artificiale, apo është kryesisht një tregues i interesit të jashtëzakonshëm për vetë Anthropic?

Me një çmim fillestar prej 83 dollarësh për aksion, vlera e tyre u rrit në 111 dollarë pas debutimit, duke e çuar përkohësisht vlerësimin e kompanisë mbi 2 trilionë dollarë, përpara se çmimi të tërhiqej, ndërsa investitorët filluan të realizonin fitimet.

Listimi ndodhi në një periudhë pasigurie për sektorin e IA-së. Investitorët po vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje nëse miliarda dollarët që po investohen në këtë teknologji do të justifikohen nga fitimet e ardhshme. Në të njëjtën kohë, shumë prej tyre po reduktojnë ekspozimin ndaj aksioneve të kompanive teknologjike.

Çfarë tregon suksesi i Anthropic?

Një nga përfundimet kryesore të IPO-së është kërkesa jashtëzakonisht e lartë për aksionet e Anthropic.

Një faktor i rëndësishëm janë të ardhurat e kompanisë. Në fund të tetorit, ritmi vjetor i të ardhurave arriti në 81 miliardë dollarë. Ky tregues përfaqëson një vlerësim të të ardhurave vjetore, bazuar në performancën e muajit paraardhës.

Por rëndësi ka pasur edhe popullariteti i kompanisë. Claude është një nga mjetet e inteligjencës artificiale më të përdorura në botë.

Në tregjet financiare ekziston një fenomen i njohur si “paragjykimi i familjaritetit” (familiarity bias), që përshkruan prirjen e investitorëve për të favorizuar kompani dhe produkte me të cilat janë tashmë të njohur.

Interesi ishte aq i madh sa shumë investitorë individualë nuk arritën të siguronin aksione përpara listimit. Sipas Bloomberg, kërkesa për aksionet ishte rreth gjashtë herë më e lartë se sasia e ofruar.

Ndërkohë, Wall Street Journal raportoi se vetëm rreth 15% e aksioneve të disponueshme përfunduan në duart e investitorëve individualë.

A justifikohet vlerësimi prej 1,76 trilionë dollarësh?

Pas rritjes fillestare, aksionet e Anthropic e mbyllën ditën e parë të tregtimit me çmimin 97,17 dollarë, 17% më shumë se çmimi i ofertës fillestare. Kjo e vlerësoi kompaninë në 1,76 trilionë dollarë.

Shifra ishte pak më e ulët se vlerësimi prej 2,1 trilionë dollarësh që arriti SpaceX në përfundim të ditës së saj të parë të tregtimit, por mbetet jashtëzakonisht e lartë.

Anthropic ka arritur madje ta tejkalojë OpenAI-n duke regjistruar një fitim operativ tremujor më herët gjatë këtij viti. Megjithatë, në tremujorin pasues, kompania u rikthye në humbje operative.

Listimi në bursë i jep Anthropic mundësinë të sigurojë më lehtë kapital në shuma të mëdha. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për një kompani që ka marrë tashmë angazhime për shpenzime të ardhshme prej rreth 900 miliardë dollarësh, kryesisht për infrastrukturën kompjuterike, gjatë periudhës nga tani deri në vitin 2045.

Rreth gjysma e këtyre shpenzimeve pritet të realizohen deri në vitin 2030.

Vetëm për 12 muajt e ardhshëm, fatura e parashikuar arrin në rreth 70 miliardë dollarë, një shumë që mund të përballohet duke pasur parasysh nivelin aktual të të ardhurave të kompanisë, prej 81 miliardë dollarësh në ritëm vjetor.

Megjithatë, ka edhe tregues që kërkojnë vëmendje.

Të ardhurat e Anthropic u rritën me 47% në tremujorin e tretë, një rezultat i konsiderueshëm, por dukshëm më i ulët se rritja prej 144% e regjistruar në tremujorin e dytë. Kjo tregon një ngadalësim të ritmit të zgjerimit të kompanisë.

Një tjetër sfidë është rënia e çmimeve të token-ave, njësive që përdoren për matjen dhe tarifimin e përdorimit të modeleve të inteligjencës artificiale. Kjo lidhet pjesërisht me konkurrencën në rritje nga modelet më të lira të IA-së.

Kompania ka paralajmëruar gjithashtu se disa prej klientëve të saj, veçanërisht bizneset në fazat e hershme dhe kompanitë me rritje të shpejtë, varen nga financimi i jashtëm. Nëse ky financim pakësohet ose ndërpritet, edhe shpenzimet e tyre për shërbimet e Anthropic mund të bien.

Më shumë kontroll mbi sigurinë dhe përgjegjësinë e AI-së

Dalja në bursë sjell një nivel shumë më të lartë transparence dhe mbikëqyrjeje për çdo kompani.

Deri tani, vëmendja ndaj Anthropic ishte përqendruar kryesisht te teknologjia dhe potenciali i saj për rritje. Tashmë, investitorët do të shqyrtojnë më nga afër edhe mënyrën se si drejtohet kompania.

Përveç treguesve financiarë, si rritja e të ardhurave, rentabiliteti dhe fluksi i parasë, do të marrin rëndësi edhe vendimet që lidhen me sigurinë e inteligjencës artificiale, privatësinë dhe përgjegjësinë sociale.

Para debutimit në Nasdaq, drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, pranoi se kjo teknologji shoqërohet me rreziqe serioze.

Ai përmendi mundësinë e keqpërdorimit të IA-së nga individë ose shtete, ndikimin e saj në ekonominë globale dhe rrezikun e humbjes së kontrollit mbi sistemet e inteligjencës artificiale.

Megjithatë, Amodei shprehu besimin se kompania mund të ndërtojë një biznes shumë të suksesshëm pa bërë kompromis me sigurinë.

Sipas tij, nëse Anthropic arrin të dëshmojë se zgjedhjet e përgjegjshme për sigurinë mund të bashkëjetojnë me suksesin komercial, kjo mund të shërbejë si model edhe për kompanitë e tjera të industrisë.

Por jo të gjithë e mirëpritën debutimin e kompanisë. Protestues organizuan tubime jashtë selisë së Nasdaq në Nju Jork dhe jashtë selisë së Anthropic në San Francisko, duke kërkuar rregullim më të fortë nga qeveritë dhe ngadalësim, apo edhe pezullim të zhvillimit të inteligjencës artificiale.

Çfarë do të thotë IPO-ja e Anthropic për rivalin OpenAI?

Suksesi i Anthropic në bursë përbën një pikë referimi të rëndësishme edhe për rivalin e saj, OpenAI, i cili gjithashtu ka ambicie për t’u listuar në tregjet publike.

OpenAI fillimisht kishte planifikuar një dalje në bursë gjatë këtij viti, por e ka shtyrë këtë mundësi të paktën deri në vitin 2027, duke përmendur shqetësime që lidhen me sigurinë e teknologjisë.

Debutimi i Anthropic krijon njëkohësisht mundësi dhe sfida për kompaninë rivale.

Nga njëra anë, performanca financiare dhe vlerësimi i Anthropic u japin OpenAI-t dhe investitorëve të mundshëm një pikë krahasimi për të vlerësuar potencialin e kompanive të inteligjencës artificiale.

Nga ana tjetër, fakti që Anthropic tashmë është një kompani publike do të thotë se i gjithë sektori do të përballet me një nivel më të lartë kontrolli nga investitorët dhe publiku.

Nëse perceptimi publik për inteligjencën artificiale përkeqësohet përpara daljes së OpenAI në bursë, kjo mund të ndikojë negativisht në vlerësimin dhe interesin e investitorëve për kompaninë.

Në fund, rekordi i Anthropic dëshmon interesin e jashtëzakonshëm të tregut për këtë kompani, por nuk përbën domosdoshmërisht një garanci për të ardhmen e gjithë industrisë së inteligjencës artificiale. Pyetja kryesore mbetet nëse kompanitë do të arrijnë t’i kthejnë investimet gjigante në fitime të qëndrueshme, duke menaxhuar njëkohësisht rreziqet që sjell kjo teknologji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë