Shendet

Rriten superbakteret rezistente ndaj antibiotikëve, mbi 35 mijë viktima çdo vit në Europë

Infeksionet nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve po shtohen me shpejtësi në Evropë, duke rrezikuar efektivitetin e trajtimeve mjekësore. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), mbi 35 mijë persona humbin jetën çdo vit nga rezistenca antimikrobike.

Shqetësim të veçantë paraqesin bakteret Escherichia coli dhe Klebsiella pneumoniae, të cilat mund të shkaktojnë infeksione të rënda, përfshirë infeksionet e gjakut. Sipas të dhënave të ECDC-së, infeksionet nga E. coli rezistente u rritën me 16,4% gjatë periudhës 2019–2025, ndërsa ato nga K. pneumoniae u rritën me 72%.

Situata është veçanërisht shqetësuese në disa vende. Qiproja, Rumania dhe Greqia raportojnë nivele të larta të infeksioneve rezistente, ndërsa rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe në Hungari, Kroaci dhe Bullgari.

Përdorimi i gabuar i antibiotikëve, një nga shkaktarët kryesorë

Sipas ekspertëve, një nga arsyet kryesore të përhapjes së rezistencës është përdorimi i panevojshëm ose i papërshtatshëm i antibiotikëve, veçanërisht për infeksione virale si gripi, ftohja dhe COVID-19, ku këto barna nuk kanë efekt.

ECDC thekson se rreth 90% e antibiotikëve të përdorur te njerëzit konsumohen jashtë spitaleve, në komunitet.

Për të frenuar këtë fenomen, specialistët rekomandojnë përdorimin e antibiotikëve vetëm kur përshkruhen nga mjeku, respektimin e udhëzimeve të trajtimit, higjienën e duarve dhe vaksinimin.

Ekspertët paralajmërojnë se pa masa urgjente, infeksionet që sot trajtohen lehtësisht mund të bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u kuruar. Kjo do të rrezikonte jo vetëm trajtimin e infeksioneve, por edhe ndërhyrje jetike si transplantet e organeve, kimioterapia dhe kujdesi intensiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë