Dokumentar

Dokumentari për Gazën, “NAZA”, ndër më të shikuarit në botë në vitin 2026

Dokumentari investigativ “NAZA”, i realizuar nga regjisorët izraelitë Yuval Abraham dhe Rachel Szor, po shënon një sukses të madh ndërkombëtar, duke u renditur mes dokumentarëve më të shikuar të vitit 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga producentët, deri më 6 nëntor filmi është parë nga 1,547,033 persona në 47 territore, ndërsa të ardhurat ndërkombëtare kanë arritur në 13.5 milionë dollarë.

Dokumentari 80-minutësh trajton operacionet ushtarake izraelite në Gaza dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, mbikëqyrjes automatike dhe sistemeve të përzgjedhjes së objektivave ushtarake. Ai përmban dëshmi nga 24 ish-oficerë të inteligjencës, ushtarë dhe informatorë izraelitë, identiteti i të cilëve është mbrojtur përmes ndryshimit dixhital të fytyrës dhe zërit.

Filmi u prezantua në Festivalin e Filmit në Venecia, ku fitoi Çmimin Special të Jurisë dhe u prit me një ovacion prej 25 minutash.

Suksesin më të madh në kinema e ka shënuar në Itali, ku është bërë dokumentari i tretë më i shikuar i të gjitha kohërave. Edhe në Francë pati një pritje të jashtëzakonshme, me mbi 82 mijë spektatorë gjatë vetëm 48 orëve të shfaqjes. Në Gjermani, ndërkohë, janë regjistruar mbi 83 mijë hyrje në kinema.

Dokumentari ka shkaktuar gjithashtu reagime politike në Izrael. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka kritikuar ashpër regjisorët, duke pretenduar se filmi nxit antisemitizmin dhe dëmton interesat e vendit. Ai ka kërkuar gjithashtu hetim për personat e intervistuar dhe ndjekje penale të autorëve.

Në mbrojtje të gazetarëve dhe regjisorëve ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve, e cila i ka cilësuar kërcënimet si përpjekje për frikësimin e profesionistëve që kanë raportuar për një çështje me interes publik.

Pas suksesit në kinema, dokumentari pritet të publikohet falas në faqen e The Guardian në fillim të dhjetorit. Ai është përfshirë gjithashtu në listën e ngushtë për çmimin “Dokumentari më i mirë evropian” në Çmimet Evropiane të Filmit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë