Apeli i Gjykatës së Posaçme ka shpallur fajtor ish-zyrtarin e policisë Oltion Bistrin për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, duke e dënuar përfundimisht me 7 vite e 4 muaj burgim.
Apeli ka rrëzuar kështu GJKKO, e cila e ka liruar Bistrin në 2025.
Sipas vendimit, për veprën penale të korrupsionit, Bistrit i është caktuar dënimi me 5 vite burgim, ndërsa për pastrimin e produkteve të veprës penale është dënuar me 7 vite burgim.
Në bashkim të dënimeve, masa përfundimtare e përcaktuar nga gjykata është 11 vite burgim. Megjithatë, për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar në 7 vite e 4 muaj burgim.
Ndërkohë janë shpallur vendimet edhe për Behar Brajoviç, me 8 vite e 8 muaj burgim, Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj burgim Edmond Preka me 7 vite burgim, me gjykim të shkurtuar.
Gjithashtu, gjykata ka vendosur konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të kësaj çështjeje.
Oltion Bistri është arrestuar në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza”, bashkë me ish-kryeprokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, si dhe biznesmenin Pëllumb Gjoka të akuzuar për disa vepra penale, mes të cilave “vrasje”, “trafik narkotikësh” dhe “korrupsion i gjyqtarëve”.
Për llogari të këtij hetimi janë arrestuar gjashtë persona ndërsa nëntë të tjerë, mes të cilëve anëtarë të fisit Bajri në Shkodër, si edhe Ervis Martinaj, janë shpallur në kërkim. Sipas SPAK, ata janë përfshirë në disa episode të rënda kriminale të ndodhura në vitet 2020-2021.
Komunikimet e tyre, nën emra të koduar në aplikacionet “Sky” dhe “Encro Chat”, iu servirën SPAK nga autoritetet franceze, belge dhe holandeze të drejtësisë.
Sipas prokurorisë së Posaçme, referuar përmbajtjes së bisedat të transkriptuara, të dyshuarit në role të caktuara japin dhe marrin porosi për vrasje, koordinojnë veprime kriminale, si edhe mbajnë kontakte për favore të tyre me zyrtarë të drejtësisë dhe policisë.
Bistri rezulton se ka biseda telefonike komunikime me Ervis Martinajn, duke i dhënë informacione të ndryshme, por edhe për aksionet që bëheshin për kapjen e tij. Këto komunikime i përkasin kohës kur Oltion Bistri është emëruar në detyrën e drejtorit të Forcave Operacionale në Policinë e Shtetit.
Komunikime janë evidentuar edhe me biznesmenin Pëllumb Gjoka. Bistri e ka toleruar këtë të fundit pas konstatimit të shkeljeve në biznesin e tij të lojërave të fatit. Përveç shkeljeve, prokuroria argumenton se Bistri komunikonte me biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe për ta lajmëruar për kontrolle në një biznes të tij në zonën që mbulohet nga komisariati 2. Këto komunikime i përkasin kohës kur Bistri ishte shefi këtij komisariati.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje