Të paktën 300 shkolla në të gjithë Italinë u evakuuan të mërkurën, pas marrjes së kërcënimeve për vendosjen e bombave përmes postës elektronike. Mesazhet përmbanin gjithashtu kërcënime të drejtpërdrejta ndaj kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Lajmi u bë i ditur nga ministri italian i Arsimit, Giuseppe Valditara, i cili konfirmoi se autoritetet kanë regjistruar rreth 300 alarme në shkolla të ndryshme të vendit.
Mesazhi kërcënues niste me fjalët: “Kemi ardhur për t’ju asgjësuar. Do të kryejmë një gjenocid kundër italianëve.”
Në të pretendohej se në ndërtesat shkollore ishte vendosur një “mjet i fuqishëm shpërthyes”, i pajisur me mekanizëm shpërthimi në distancë. Gjithashtu, mesazhi përmbante një kërcënim ndaj kryeministres Meloni: “Kemi vendosur një bombë në motorin e makinës së kryeministres suaj”.
Email-i ishte nënshkruar me emrin “Mikhail Andropov, udhëheqës i Vilajetit të Mizogjinistanit”.
Kërcënime të ngjashme me bombë janë raportuar gjatë javës së kaluar edhe nga media në Irlandë dhe Bullgari, ku mesazhet rezultojnë se janë dërguar nga i njëjti autor i pretenduar.
Ministri i Arsimit, Valditara, deklaroi se bëhet fjalë për një situatë që po shqyrtohet me seriozitet nga autoritetet. “Është e qartë se bëhet fjalë për një strategji”, u shpreh ai.
Ndërkohë, përmbajtja e mesazheve po verifikohet dhe autoritetet po kryejnë kontrolle sigurie për të garantuar mbrojtjen e nxënësve, mësuesve dhe personelit të shkollave.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, reagoi lidhur me ngjarjen, duke njoftuar se do të raportojë në Parlament për situatën dhe çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare.
Ai i cilësoi kërcënimet si pjesë të një strategjie destabilizimi, që synon të përhapë frikë dhe pasiguri në shoqëri.
“Kjo është pjesë e një strategjie tashmë të qartë, e cila synon të mbjellë terror ose të krijojë shqetësim. Secili prej nesh, duke përdorur mjetet që ekzistojnë, mund të dërgojë një email në një shkollë, kopsht fëmijësh apo kompani ajrore, duke pretenduar se aty ka një bombë”, deklaroi Crosetto.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje