Politike

SPAK kërkon psikolog për BKH-në: Hetuesit përballen me kërcënime dhe presione psikologjike

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përballen me kërcënime, presione psikologjike dhe ngarkesë të lartë pune. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar punësimin e një psikologu institucional gjatë vitit 2027, i cili do të ndihmojë jo vetëm stafin, por edhe gjatë intervistimit të dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Kërkesa u bë publike gjatë raportimit të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i vitit 2027.

Drejtori i Buxhetit dhe Menaxhimit Financiar në Prokurorinë e Posaçme, Armand Shini, shpjegoi arsyet përse institucioni ka nevojë për një psikolog.

“Psikologia institucionale është një kërkesë e shtuar, e cila është argumentuar me ndihmën që do të japë psikologu edhe për stafin e BKH-së, pasi stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, tha Shini.

Përveç psikologut, SPAK ka planifikuar edhe investime për pajisje të reja, automjete dhe teknologji.

“Për vitin 2027 janë parashikuar 15 milionë lekë për pajisje zyrash, përfshirë kasaforta, grirëse letrash, mobilje dhe pajisje për ambientet mbështetëse. Ndërkohë, 30 milionë lekë janë planifikuar për blerjen e tetë automjeteve dhe 174 milionë lekë për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike” tha prokurori i SPAK Alfred Shehu

Gjatë raportimit, Shehu, bëri të ditur se buxheti i institucionit për vitin 2027 është rreth 2.3 miliardë lekë, ndërsa nevojat e rishikuara arrijnë në 2.5 miliardë lekë. Sipas tij, diferenca prej 209 milionë lekësh lidhet kryesisht me shtimin e 25 pozicioneve të reja dhe pagesat për gatishmëri e orët jashtë orarit.

SPAK dhe BKH kanë kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja, nga të cilat tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në Byronë Kombëtare të Hetimit. Aktualisht, struktura organike parashikon 339 pozicione, por vetëm 220 janë të plotësuara. Nga këto, 136 punonjës janë në SPAK dhe 84 në BKH.

Në total, rezultojnë 119 vende vakante, nga të cilat 25 në Prokurorinë e Posaçme dhe 94 në BKH. Shehu bëri të ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve, ndërsa nevoja e institucionit është për 94 hetues të rinj. Ai shpjegoi se procesi kërkon kohë për shkak të testimeve dhe verifikimeve të pasurisë e figurës së kandidatëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë