Një raport i ri ngre shqetësime për rolin e TikTok-ut në promovimin dhe normalizimin e industrisë së seksit, duke pretenduar se krijueset e përmbajtjeve për të rritur po përdorin këtë rrjet social për të tërhequr ndjekës, përfshirë vajza adoleshente, drejt platformave si OnlyFans.
Studimi, i realizuar nga organizatat britanike Cease dhe australiane Collective Shout, analizoi përmbajtjet e disa prej krijueseve më të njohura të OnlyFans gjatë një periudhe njëvjeçare. Sipas studiuesve, promovimi nuk bëhet domosdoshmërisht përmes materialeve eksplicite, por përmes videove të zakonshme që paraqesin rutina bukurie, gatim, blerje apo këshilla për kujdesin personal.
Në këto postime përdoren shprehje të koduara, emoji dhe simbole për t’iu referuar pornografisë dhe përmbajtjeve me pagesë, duke shmangur rregullat e TikTok-ut. Një shembull është përdorimi i fjalës angleze “corn” në vend të “porn”.
Raporti evidenton gjithashtu se këto influencer e paraqesin OnlyFans si një mundësi për pasuri dhe pavarësi financiare. Në videot e tyre shfaqen makina luksoze, shtëpi të mëdha, para dhe udhëtime me avionë privatë, duke krijuar përshtypjen se shitja e përmbajtjeve seksuale është një rrugë e lehtë drejt suksesit.
Megjithatë, shifrat tregojnë një realitet tjetër: ndërsa 5,000 krijuesit më të suksesshëm kanë fituar mbi një milion dollarë secili që nga viti 2016, të ardhurat mesatare të miliona krijuesve të tjerë vlerësohen në rreth 1,000 dollarë në vit.
Melinda Tankard Reist, nga organizata Collective Shout, e ka kritikuar ashpër këtë fenomen, duke argumentuar se TikTok po shërben si një kanal dixhital që orienton vajzat e reja drejt industrisë së seksit. Sipas saj, vajzat dhe gratë e reja duhet të mbrohen nga presioni dhe normalizimi i prodhimit të përmbajtjeve eksplicite.
Shqetësimi lidhet veçanërisht me faktin se disa krijuese të OnlyFans kanë një numër të madh ndjekësish adoleshentë. Raporti përmend edhe përdorimin e videove virale dhe algoritmit të TikTok-ut për të zgjeruar audiencën dhe për të promovuar indirekt aktivitetin e tyre në platforma të tjera.
Autorët kërkojnë që mbrojtja e të miturve të mos kufizohet vetëm te ndalimi i përmbajtjeve pornografike eksplicite, por të përfshijë edhe postimet që promovojnë industrinë e seksit.
Nga ana tjetër, TikTok deklaron se ndalon rreptësisht shpërndarjen e përmbajtjeve seksuale dhe se përdor sisteme teknologjike për të penguar ekspozimin e adoleshentëve ndaj materialeve të papërshtatshme për moshën e tyre.
Edhe OnlyFans thekson se platforma është e destinuar vetëm për personat mbi 18 vjeç dhe se zbaton procedura verifikimi për të parandaluar regjistrimin e të miturve.
Raporti rikthen në vëmendje një debat gjithnjë e më të rëndësishëm: sa përgjegjësi kanë platformat sociale për përmbajtjet që promovojnë indirekt dhe për ndikimin që ato mund të kenë te përdoruesit më të rinj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje