Politike

Pr.buxheti/ Kreu i KLGJ te “Ligjet”: Na është dhënë 37% më pak buxhet, nuk është plotësuar as kërkesa për sigurinë

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka kërkuar një buxhet prej 10 miliardë e 750 milionë lekësh për vitin 2027, por në projektbuxhetin e miratuar janë parashikuar vetëm 6 miliardë e 750 milionë lekë.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi, ngriti shqetësimin për fondet e pamjaftueshme, duke theksuar se buxheti i vitit të ardhshëm është 1.1% më i ulët se ai i vitit 2026.

Rusi deklaroi se institucioni ka marrë 37% më pak fonde nga sa kishte kërkuar për të tria programet buxhetore, ndërsa theksoi se mungesa e financimit prek disa prej prioriteteve kryesore, përfshirë sigurinë në gjykata, punonjësit dhe kostot operative.

“Kërkuam 10 miliardë e 750 milionë lekë për të tria programet buxhetore, na janë miratuar 6 miliardë e 750 milionë lekë, që do të thotë se na është miratuar 37% më pak buxhet nga sa kemi kërkuar. Është për herë të parë në 7 vitet e KLGJ-së që buxheti i vitit që vjen është 1.1% më i ulët se në vitin e kaluar. Nëpër raportime kemi thënë se cilat janë prioritet për të rritur efikasitetin, rendimentin, por edhe për të plotësuar disa detyra për integrimin në BE. Të shkojmë në miratimin e projektligjit dhe të mos na miratohet fondi për sigurinë në gjykata, nuk di çfarë të flasim më shumë”, deklaroi Ilir Rusi.

Në përgjigje, kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, u ndal te vakancat në sistemin gjyqësor dhe çështja e sigurisë në gjykata.

“Rusi tha se buxheti vjen me ulje 1.1% në total se vjet. Janë 264 vakanca, plotësimi i të cilave nuk varet domosdoshmërisht nga KLGJ. Lidhur me sigurinë në gjykata, Rusi e tha se e kanë në marrëveshje me Ilyrian Guard për perimetrin e jashtëm të gjykatës dhe nëse janë rritur tarifat, duhet mbështetur KLGJ. Por është gjë tjetër pjesa e brendshme, sepse skaneri dhe porta detektore nuk është me Ilyrian. Kemi vënë re se ata që punojnë në këto vende paguhen shumë pak, me pagë minimale. Për të marrë profesionistë në këtë vend, është shumë e vështirë me këtë pagë që kanë. Edhe në lidhje me pajisjet duhet të ndalojmë”, u shpreh Manja.

Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Vima Çausholli, sqaroi se një pjesë e kërkesave të KLGJ-së janë përfshirë në projektbuxhetin afatmesëm, por financimi i tyre do të shpërndahet në disa vite buxhetore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë