Politike

Celibashi: Zgjedhjet e 9 majit duhet të përmbushin standardet europiane

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka prezantuar prioritetet dhe përgatitjet për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor me standarde demokratike dhe në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.

Në një komunikim me përfaqësuesit e medias, Celibashi u shpreh se këto zgjedhje marrin një rëndësi të veçantë edhe për shkak të fazës në të cilën ndodhet Shqipëria në rrugën drejt integrimit europian. Ai theksoi se KQZ-ja do të marrë të gjitha masat për të adresuar problematikat e evidentuara në proceset e mëparshme zgjedhore dhe për të përmirësuar besueshmërinë e votimit dhe numërimit. Një ndër objektivat kryesore është zgjerimi i votimit dhe numërimit elektronik në sa më shumë bashki të vendit.

Gjithashtu, Celibashi bëri të ditur se do të testohet përdorimi i Inteligjencës Artificiale në dy KZAZ, në Tiranë dhe Lezhë, por pa pasur asnjë ndikim në përcaktimin e rezultatit përfundimtar.

Kreu i KQZ-së nënvizoi se garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme kërkon angazhimin jo vetëm të institucioneve zgjedhore, por edhe të qeverisë, administratës publike dhe partive politike.

Celibashi theksoi se zgjedhjet e 9 majit 2027 duhet të shënojnë një përmirësim të dukshëm të standardeve zgjedhore, veçanërisht sa i përket barazisë së mundësive mes subjekteve politike, integritetit të procesit dhe besueshmërisë së rezultateve. Sipas tij, mënyra se si do të organizohen këto zgjedhje do të jetë një tregues i rëndësishëm edhe për ecurinë e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Ai nënvizoi se përgjegjësia për garantimin e një procesi demokratik nuk i takon vetëm KQZ-së, pasi në të përfshihen edhe qeveria, institucionet e administratës shtetërore dhe vendore, organet ligjzbatuese dhe vetë partitë politike. Në mënyrë të veçantë, kërkohet që administrata publike të ruajë paanshmërinë dhe të mos përdoren funksionet apo burimet shtetërore në favor të subjekteve zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë