Kosova

“EULEX të mbyllet”, James Pettifer: Kosova duhet të rishikojë raportet me misionet ndërkombëtare

Pas aktgjykimit të rëndë të Hagës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Kosova duhet ta rishikojë raportin me misionet ndërkombëtare mendon historiani britanik, James Pettifer.

Pettifer, një njohës shumë i mirë i çështjeve ballkanike i tha REL se ky vendim mund ta vështirësojë më tej procesin e pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ndërsa vuri në pikëpyetje edhe vijimësinë e pranisë së EULEX-it në Kosovë.

“Është e qartë se marrëdhënia me NATO-n është thelbësore dhe ajo nuk duhet të përfshihet në këtë çështje. Dhe, mësa di unë, NATO-ja nuk ka qenë e përfshirë në asnjë mënyrë në procesin e Dhomave të Specializuara. Por, situata me Evropën është krejt ndryshe. Siç ndoshta e keni parë edhe në X dhe në rrjete të tjera sociale, shumë njerëz me përgjegjësi mendojnë se organizata si EULEX-i, OSBE-ja dhe të tjera duhet të mbyllen. Ato i përkasin së kaluarës. Personalisht, mendoj se ky është drejtimi i duhur, veçanërisht sa i përket misionit të EULEX-it”, shprehet James Pettifer.

Kosova, kujton ai, është shtet sovran dhe i pavarur.

“Dua të them se, mesa e kuptoj unë, këta njerëz janë në Kosovë vetëm me pëlqimin e Qeverisë. Veçanërisht sa i përket EULEX-it, nuk shoh arsye përse duhet të vazhdojë, kur qartazi është një mjet për interesat e Serbisë”, shton Pettifer.

Pettifer, i angazhuar pranë Universitetit të Oksfordit, argumenton se Kosova nuk duhej ta refuzonte krijimin e Dhomave të Specializuara, por duhej të negocionte ndryshe kushtet mbi të cilat ato u themeluan. Sipas tij, problemi daton që në gjenezë pasi mënyra si u veprua nënkuptonte se Kosova nuk do të kishte kontroll mbi procesin. Dhe në praktikë, mendon ai, Dhomat e Specializuara mund të manipuloheshin nga interesa të jashtme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë